Aktuale
Krerët botërorë reagojnë ndaj zjarrit shkatërrues në katedralen e Notre Damit

Për katedralen ikonike të Notre Damit që është djegur mbrëmë, udhëheqësit botërorë, së bashku me miliona njerëz në mbarë botën shprehën publikisht pikëllimin e tyre për dëmet e shkaktuara nga zjarri dhe shprehën solidaritet me popullin francez për shkatërrimin e simbolit të tyre kombëtar.
Dhimbjes ndaj kësaj ngjarjeje nuk i qëndruan indiferent as krerët e Kosovës, të cilët gjatë natë së mbrëmshme shprehën pikëllimin e tyre për shkatërrimin e katedrales.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e kishte cilësuar “fatkeqësi të madhe përfshirjen në zjarr të katedrales historike Notre Dame, në Paris”.
“Një fatkeqësi kulturore me përmasa jo vetëm evropiane, por edhe botërore. Shpresoj që zjarri të shuhet dhe dëmi të riparohet sa më shpejt!”, kishte thënë Thaçi.
I trishtuar me djegjen e katedrales është shprehur edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.
E presidenti i vendit ku ndodhi tragjedia, Emmanuel Macron deklaroi se ishte i trishtuar teksa shihte katedralen të kapluar nga flakët. Ai ka premtuar se do të krijojë një skemë ndërkombëtare për mbledhjen e fondeve për rindërtimin e saj.
Ish-presidenti francez François Hollande, deklaroi: “Notre Dame është trashëgimia jonë e përbashkët, është një plagë ta shohësh atë të kapluar nga flakët”
Në ndërkohë Vatikani tha se Papa Francis “ka parë me tronditje dhe trishtim lajmin e zjarrit të tmerrshëm që e ka shkatërruar katedralen e Notre Damit, që është simbol i krishterimit në Francë dhe në botë”.
Për rastin ka reaguar edhe Presidenti i Amerikës Donald Trump duke u shprehur: “Është kaq e tmerrshme të shohësh zjarrin masiv në katedralen e Notre Damit në Paris. Ndoshta avionët me cisterna me ujë mund të përdoren për ta fikur zjarrin më shpejt.
Rivalja e mëparshme demokrate e Trumpit në garën presidenciale të vitit 2016, Hillary Clinton, në rrjetin social “Tëitter” shkroi: “Zemra ime shkon në Paris. Notre Dame është një simbol i aftësisë sonë si qenie njerëzore për t’u bashkuar për një qëllim më të lartë – për të ndërtuar hapësira mahnitëse për adhurim të cilat asnjë person nuk do të mund t’i kishte ndërtuar vetë. “
Edhe ish-presidenti amerikan, Barak Obama, publikoi në “Tëitter” një fotografi të tij, së bashku me gruan dhe vajzat në katetedralen gotike të Parisit së bashku me mesazhin: “Notre Dame është një nga thesaret e mëdha të botës dhe ne e kemi mendjen tek njerëzit e Francës në kohën tuaj të pikëllimit. Është në natyrën tonë të mbajmë zi kur shohim historinë e humbur, por gjithashtu është në natyrën tonë që ta rindërtojmë atë për nesër, aq fort sa mundemi “.
Zëvendëspresidenti i Trumpit, Mike Pence, tha se ndjehej “zemërthyer të shihte një shtëpi të Zotit në flakë”, duke e përshkruar katedralen si “një simbol ikonë të besimit të njerëzve në mbarë botën”.
Kryeministrja britanike, Theresa May, shkroi në Tëitter se mendimet e saj ishin me njerëzit e Francës dhe shërbimet emergjente “të cilët po luftojnë me zjarrin e tmerrshëm në katedralen e Notre Dame”.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, shkroi në Tëitter se ishte “tmerruar” nga shkatërrimi i katedrales, të cilën ai e quajti “një shembull unik i trashëgimisë botërore që ka qëndruar i gjatë që nga shekulli i 14-të”.
Udhëheqësit nga vende të tjera përfshirë Australinë, Egjiptin, Greqinë, Italinë, Japoninë, Libanin, Poloninë dhe Spanjën gjithashtu shprehën pikëllimin e tyre dhe thanë se mendimet e tyre ishin me popullin dhe udhëheqjen e Francës./Ndërtimi.info/
