Aktuale
Prishtina nis largimin e 140 deponive ilegale, MMPH e gatshme të financojë deponinë legale

Janë 140 deponi të tilla mbeturinash në tërë Prishtinën. Një pjesë e madhe e tyre janë mbetje të ngurta që zakonisht hedhen nga kompanitë ndërtuese.
Ka prej qytetarëve që thonë se komuna është vonuar në largimin e mbeturinave. Ndërsa, ka të atillë që fajësojnë njëri-tjetrin për praninë e deponive të shumta.
Komuna, bashkë me GIZ-in gjerman, ka bërë identifikimin dhe tashmë ka nisur largimin e këtyre deponive, raporton “038” i KTV-së.
Nisma të ngjashme ka pasur edhe në të kaluarën, mirëpo pas një kohe të shkurtër, hapësirat e pastruara janë kthyer sërish në deponi.
Kësaj radhe, po synohet që pas pastrimit, hapësirat publike të gjelbërohen dhe të mos lejohet ndotja e tyre.
Si arsye për praninë e madhe të mbeturinave të ngurta është vlerësuar edhe mungesa e një deponie legale për këtë lloj të mbeturinave, përveç asaj në Mirash.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka thënë se do ta përkrahë me 50 mijë euro ndërtimin e një deponie të tillë në kryeqytet.
Sipas zyrtarëve të saj, po pritet vetëm caktimi i lokacionit nga komuna.
“Sa u përket mbeturinave të ngurta në kryeqytet, MMPH këtë vit, do të përkrahë ndërtimin e deponisë së mbeturinave të ngurta në Prishtinë me 50 mijë euro. Tani jemi duke pritur që Komuna e Prishtinës të caktojë lokacionin për ndërtimin e kësaj deponie, në mënyrë që të ndajmë mjetet financiare për komunën e Prishtinës për këtë projekt”, ka thënë Leutrim Sahiti, zëdhënës i MMPH-së.
Në anën tjetër, drejtoresha Braha thotë propozimi i tyre i parë për lokacionin nuk është pranuar.
Braha u ka bërë thirrje qytetarëve dhe kompanive ndërtuese që të mos vazhdojnë të krijojnë deponi mbeturinash
