Trashëgimia
Vazhdon rrënimi i objekteve të trashëgimisë në Prizren

Në Prizren janë rrënuar e dëmtuar disa objekte të trashëgimisë kulturore, e kjo praktikë nuk po ndalet. Së fundmi është rrënuar një shtëpi me vlera historike në rrugën “Aleksandër Fleming”.
Për këtë ka reaguar organizata “Ec Ma Ndryshe”, duke bërë me dije se rrënimi është bërë pa lejen e organeve kompetente.
“Së fundi në rrugën “Aleksandër Fleming” është bërë rrënimi i objektit me vlerë historike për të cilin janë kontaktuar zyrtarët e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren për t’u informuar nëse kanë pranuar ndonjë kërkesë në lidhje me kryerjen e këtyre punimeve, e përgjigja e ofruar nga ky institucion na lë në dijeni se këta të fundit nuk kanë pranuar një kërkesë të tillë dhe se kryerja e punimeve ka ndodhur pa pëlqimin e këtij dikasteri. Po ashtu edhe Këshilli për Trashëgimi Kulturore në përgjigjen e tyre zyrtare na njoftojnë se as këta të fundit nuk kanë lëshuar një pëlqim të tillë. Në anën tjetër Drejtoria Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në përgjigjen e saj zyrtare njofton se pronari nuk posedon leje për rrënim të këtij objekti. Inspektorët e Komunës së Prizrenit kishin bërë vendosjen e shiritave për ndalimin e punimeve por se pronari nuk e ka respektuar vendimin e tyre duke bërë mënjanimin e shiritave dhe duke kryer punimet pa leje institucionale”, njofton Ec.
Duke e parë nga afër shkatërrimin e shumë objekteve me vlera historike, EC edhe ka bërë thirrje për ruajtjen e tyre, ndërsa kërkon nga institucionet përkatëse që shkatërruesit e këtyre vlerave t’i paraqesë tek organet e rendit.


