Aktuale
Zyrtarë dhe investitor nën pranga: arrestime në Fushë- Kosovë për leje ndërtimi

Tre persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës për shkak të kryerjes së punimeve ndërtimore të kundërligjme dhe keqpërdorim të pozitës, në rrugën “Nënë Tereza” të Komunës së Fushë-Kosovës.
Sipas Policisë, dy të dyshuarit A.P i gjinisë mashkull dhe A. P e gjinisë femër kanë keqpërdorur pozitën e tyre duke lejuar që investitori, i cili poashtu është arrestuar, të kryej punimet ndërtimore të kundërligjshme për ndërtimin e objektit shumë banesorë me afarizëm në rrugën “Nënë Tereza” në Fushë Kosovë, duke mos i përfillur procedurat ligjore.
Në rastin e lejes ndërtimore për kompaninë veprimi i të dyshuarave ka shkaktuar dëm për banorët e dy objekteve ekzistuese duke mos respektuar distancën e ndërtimit.
“I dyshuari (M.V.) në cilësinë e pronarit të kompanisë (1), dhe ndërtuesit të objektit në rrugën Nënë Tereza në Fushë Kosovë edhe pse ishte pajisur me leje ndërtimi nga të dyshuarit në kundërshtim me Ligjin e Ndërtimit dhe udhëzimet administrative, i njëjti nuk ju ka përmbajtur as kësaj leje ndërtimi duke bërë tejkalime të lejes gjatë ndërtimit të objektit si dhe nuk ka përfillur urdhëresat e Inspektoratit të Ndërtimit për ndërprerjen e punimeve të kundërligjshme” thuhet në njoftimin e policisë.
Të dyshuarit me iniciale (A.P.) dhe (A.S.) me veprimet e tyre dyshohet se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar” nga neni 422, ndërsa i dyshuari me iniciale (M.V.) dyshohet se ka kryer veprën penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme” nga neni 368, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Pas intervistimit personat e dyshuar me aktvendim të prokurorit kompetent dërgohen në ndalim për 48 orë për procedura të mëtejme.

