Featured
Ura impresionuese tibetiane që do t’i shtohet Grykës së Rugovës [foto]
Gryka e Rugovës që është përafërsisht 25 kilometërshe, e që gjendet në pjesen perëndimore të Kosovës, gjithnjë e më shumë është duke u shndërruar në një nga zonat më atraktive në Kosovë.
Kësaj grykeje tani do t’i shtohet edhe ura bashkëkohore tibetiane. Në kilometrin e gjashtë të Grykës së Rugovës do të ndërtohet ura bashkëkohore tibetiane, për t’u bërë e dyta e kësaj zone.
E gjithë ura do të ndërtohet me litarë metalik. Për këtë projekt tashmë Komuna e Pejës ka hapur tenderin në vlerë të 15 mijë eurosh. Ura do të jetë 60 metra e lartë dhe 60 metra e gjatë, e do të shndërrohet në një ndër atraksionet më të mëdha në vend. Kështu bënë të ditur për Ndërtimi.info, Marigona Gashi, anëtare e organizatës “Marimangat”.
“Ka me qenë njëra prej atraksioneve më të mëdha në vend. Ura ka me shërby për me konektu ‘Via Ferraten’ dhe do të ndërtohet në kilometrin e 6-të të Grykës së Rugovës. Ura ka me qenë diçka shumë e veçantë, ka me qenë 60 metra e lartë dhe 60 metra e gjatë dhe ka me kriju një adrenalinë në vete”, tha Gashi.
Ajo ka theksuar se i gjithë unikaliteti i projektit bie pikërisht mbi thjeshtësinë e saj, pa përdorur materiale të komplikuara siç është betoni.
Tutje ajo ka bërë të ditur se edhe kjo urë do të jetë e njëjtë me atë që aktualisht ekziston në kilometrin e 3-të të Grykës së Rugovës, e që gjithashtu shërben për “Via Ferraten”.
“Është pak a shumë njëjtë si ‘Via Ferrata’. Janë vetëm 2 litarë metalik që kurdo munden me u heq. Nuk është ndonjë konstruksion prej betoni. Janë vetëm 4 litarë dhe në dy litarët e poshtëm vendosen disa lloj metali në formë shkallësh për me kalu”, ka theksuar ajo.
Në përshkrimin e objektit tregohet se për ndërtimin e saj nevojitet litari metalik që duhet të jetë 16 mm(sajl) dhe 13mm. Për t’u pajisur edhe nga shkelëset për këmbë që do të jetë pllaka metali të cilat lidhen për fijen metalike dhe shërbejnë për ta vendosur këmbën.
Do të ketë edhe rrethoja afër hyrjes së urës që do të pamundësojnë qarkullimin e njerëzve dhe do të minimizojnë rrezikun. E litari metalik mbajtës i urës duhet të jetë 8 mm si dhe morsa shtrënguese.
Në brendi të shkëmbit duhet të anerkohet dhe të futet 10 metra kub beton. Kjo bëhet në bazament ku do të bëhet lidhja e urës.
Shtylla e parë I-Profil do të jetë 280 mm e që do të vendosen në beton me gjatësi prej 3 m.
Më poshtë sjellim edhe fotografitë që ka siguruar Ndërtimi.info se si do të jenë litarët metalikë me të cilët do të ndërtohet kjo urë e veçantë.


Anëtarja e grupit “Marimangat” Marigona Gashi ka treguar gjithashtu se ura tjetër tibetiane që tash e disa vite është funksionale në kilometrin e tretë të Grykës së Rugovës, e që ka qenë e para në atë zonë , vazhdon të sjellë një numër shumë të madh vizitorësh, veçanërisht gjatë vikendit.
“Në kilometrin e 3-të, për ‘Via Ferratën’ dhe ‘Zip Line’-in, vetëm vikendeve mos të flasim sa kemi njerëz që vijnë prej qyteteve të ndryshme për me i vizitu, madje edhe të huajt, e ky ka qenë edhe qëllimi i jonë që kur të vijnë në Pejë me pasë çka me bo”, potencon Gashi.
Urat Tibetiane konsiderohen ura “primitive” që më së shumti ndërtohen mbi lumenj e gryka. Këto tipe të urave konsiderohen më të përshtatshmet dhe më të qëndrueshmet për ambientet e tilla./Ndërtimi.info/




