Aktuale
Rriten çmimet e apartamenteve në 32 zonat e Tiranë

Në fund të muajit mars, me një vendim të qeverisë, u bë vlerësimi i çmimeve për apartamentet në të gjithë vendin, përfshirë edhe 32 zonat kadastrale të Tiranës. Ajo çka ra në sy në vlerësimin e metodologjisë, e cila sipas llogaritjeve që kryen, nuk përfshin vlerat e rrjetit inxhinierik, projektit, studimit gjeologjik dhe sizmik, lejes së ndërtimit, truallit dhe shpenzimet operacionale në masën 4 për qind, ishte fakti se krahasuar me vitin e 2017, çmimet mbetën të pandryshuara në 23 zona kadastrale, ndërsa në 9 zona të tjera pati ulje dhe ngritje.
Por, nëse për të gjitha qytetet çmimet referencë të banesave do të jenë ato që janë zyrtarizuar, e kundërta do të ndodhë me Tiranës, ku fatkeqësisht apartamentet do të shiten më shtrenjtë për shkak të taksave komplekse që paguajnë si ndërtuesit, ashtu edhe qytetarët në tatimin e shitjes. Nëse deri para 3 vitesh, taksa e infrastrukturës ishte ajo që rriti çmimet nga 50 deri në 100 euro sipas zonave, tashmë edhe tarifat për inertet apo 3 përqindshi që jepet për banesa sociale, kanë bërë që çmimet të rriten me 200 deri në 500 euro sipas zonave.
Taksat
Teksa vlerësohet se sektori i ndërtimit ka pasur zhvillime pozitive këtë vit për sa u përket ndërtuesve, nga ana tjetër edhe çmimet e apartamenteve në kryeqytet janë shtrenjtuar befasisht, duke e klasifikuar Tiranën si kryeqytetin ndër më të shtrenjtët në Europë. Ndërtuesit, edhe pse i konsiderojnë zhvillimet pozitive, thonë se taksat janë ato që kanë imponuar rritjen, por barra e pagesave i kalon drejtpërdrejt qytetarëve në shit-blerje. Me çmimet e shtëpive në rritje në zonën afër qendrës, Tirana po bëhet më papërballueshme, jo vetëm për individët me të ardhura të ulëta dhe të mesme, por edhe për më të paguarit. Për të blerë një shtëpi në qendër të Tiranës, një individi me të ardhura mesatare i duhen 49 vite punë efektive. Brenda Unazës së Vogël të Tiranës, profesionistit do t’i duhen mesatarisht 23 vite e gjashtë muaj. Çmimi mesatar i apartamenteve brenda unazës së vogël është 1200 euro, ndërsa një apartament 60 m² kushton 72 mijë euro. Jashtë qendrës, ku një apartament ka një çmimi mesatar prej 700 euro, një profesionisti do t’i duhet mesatarisht 13.7 vite për të blerë një apartament me vlerë 42 mijë euro dhe sipërfaqe 60m².
Në krahasim me rajonin Tirana është shumë më e shtrenjtë, teksa tek ne pagat për profesionistët janë më të ulëta dhe shtëpitë më të shtrenjta. Përgjithësisht, aktiviteti ekonomik me pagat më të larta në rajon është ai i sektorit financiar dhe bankar, ku në Shqipëri paguajnë mesatarisht në muaj rreth 850 euro, sipas INSTAT, ndërsa në Maqedoni, Serbi e mal të Zi luhaten në 1100-1380 euro, për të njëjtin aktivitet ekonomik. Ndërkohë shtëpitë në qendër në Tiranë janë shtrenjtuar së fundmi, duke ia kaluar dhe Beogradit, që dikur ishte më i shtrenjti. Shqipëria është vendi më i shtrenjtë në botë edhe për punonjësit më të mirë paguar për të pasur një shtëpi në zonën e qendrës, e matur kjo sipas fuqisë blerëse. Nga të dhënat e INSTAT, të paguarit më mirë në Shqipëri janë profesionistët e punësuar në sektorin financiar dhe të sigurimeve, me një pagë mesatare prej 104,000 lekë. Por, sa vite do t’u duhen atyre të blejnë një shtëpi në qendër. Një shtëpi rreth 60 m2 në zonat e qendrës, me çmim mesatar 2,500 euro, kushton 150 mijë euro. Ndërsa prej të ardhurave mujore, një profesionist i punësuar përllogarit rreth 3060 euro të ardhura të disponueshme vjetore. Të ardhurat e disponueshme vjetore janë të ardhurat që mbesin pasi zbriten të gjitha shpenzimet dhe taksat.
Vlerësimi
Për Tiranën, viti 2019 nuk solli asnjë ndryshim të çmimeve në 23 zona të kryeqytetit, ndërsa u rritën çmimet fiskale në 9 zona kadastrale. Për procesin e rivlerësimit, zyrat e Regjistrimit do të përdorin pikërisht këto çmime fiskale, me qëllim llogaritjen e çmimit të shtëpisë sipas vlerës së tregut. Ndërsa për çmimin e mëparshëm, për rastet kur shtëpia është privatizuar pas vitit 1990 do të llogaritet referuar çmimit fiskal të vitit 1996. Në rastet se shtëpia është blerë, pra ka kontratë shitjeje, çmimi i mëparshëm fiskal llogaritet duke iu referuar çmimeve fiskale, që kanë qenë në fuqi në vitin kur është krijuar pasuria. Në udhëzimin e qeverisë, kostoja mesatare e ndërtimit të banesave ka shënuar ulje modeste, nga 39.587 lekë që ishte në 2015 është 39.281 dhe kjo ka ardhur për shkak të uljes së çmimeve të lëndëve të para. Duke iu referuar tabelave zyrtare, rritja më e madhe e vlerës mesatare të shitblerjeve të apartamenteve në tregun e lirë është për qytetin e Sarandës.
Nuk shpëton asnjë zonë, ja sa shkon rritja
Sipas zonave kadastrale të Tiranës, qendra dhe zonat më të lakmuara (ish-blloku, Rruga e Elbasanit, Stadiumi “Selman Stermasi”, kanë pësuar rritje drastike, ku çmimi për metër katror ka kaluar 500 euro. Ndërkohë, duke shkuar sa më larg vijës së verdhë të kryeqytetit, ky çmim ka pësuar rritje deri në 200 euro për metër katror.


