Aktuale
Sipas shkencëtarëve rrokaqiejt po vrasin mbi 1 miliard zogj brenda vitit, në SHBA

Rrokaqiejt e lartë e bashkëkohorë të cilët vit pas viti sa vijnë e perfeksionohen nuk po sjellin vetëm të mira. Këto super struktura tashmë kanë hyrë nën llupën e shkenctarëve të cilët po i konsiderojnë këto objekte si shkaktarin kryesor të vdekjes së mbi 1 miliard zogjve brenda një viti.
Sipas artikullit të “The Guardian” Çikago, Houston-i, Dallasi janë qytetet më vdekjeprurëse për zogjtë.
Një ndër arsyet kryesore që po e shkaktojnë vdekjen e zogjve janë kur ata përplasen në ndërtesa të veshura nga xhami, ose ndërtesa të ndriçuara, pasi që ata tërhiqen shumë nga drita, transmeton Ndërtimi.info.
Sipas vlerësimit të shkencëtarëve brenda një viti vdesin 100 milionë e deri në mbi një miliard zogj të llojeve të ndryshme.
Çikago, me shumë superstruktura të qelqit që ngrihen anë e kënd saj, konsiderohet qyteti më i rrezikshëm për këta udhëtarë të vegjël.
Më shumë se 5 milionë zogj të të paktën 250 llojesh të ndryshme fluturojnë në këtë qytet gjatë pranverës e vjeshtës.
Ata udhëtojnë dy herë në vit, mijëra milje. Në pranverë shkojnë në veri nga Amerika Qendrore dhe Jugore, përgjatë Kanadasë dhe kthehen në Jug, gjatë vjeshtës.
Qielli i famshëm i Manhatanit është një tjetër kurth vdekjeje për zogjtë, veçanërisht ata shtegëtarë.

“Ata përfundojnë zbritjen në një vend jo shumë të njohur për ta. Pastaj, kur të vije dita e re dhe ata duan të marrin më shumë ushqim, ata sërish duhet të fluturojnë në një pemë, e shpesh kjo pemë rezulton të jetë veçse një imazh i reflektuar i pemës në ndonjë xham të ndonjë rrokaqielli, duke përfunduar kështu me jetën e tyre”, thekson Drejtoresha e Organizatës për mbrojtjen e shpendëve dhe habitatit të egër, “New York City Audubon”.
Shumica e zogjve që migrojnë nëpër SHBA e bëjnë udhëtimin natën, kur hapësira ajrore është e ftohtë dhe e qetë dhe shpesh përfundojnë duke lëvizur nëpër qytete sepse tërhiqen nga drita. Shkencëtarët tash e një kohë kanë zbuluar se zogjtë tërhiqen nga drita, duke mos e ditur se kanë hyrë në një territor të rrezikshëm.
Houston dhe Dallas, të cilat gjithashtu paraqesin pika kyçe të migrimit të zogjve rrumbullaksojnë numrin e tri qyteteve më vdekjeprurëse për ta.
New York, Los Angeles, St Louis dhe Atlanta gjithashtu paraqesin rreziqe gjatë migrimit.
Autori i studimit “Cornell”, Kyle Horton tha se janë duke u përpjekur për të rritur ndërgjegjësimin, duke siguruar të dhëna dhe njohuri që mund të hyjnë në punë.
“New York City Audubon” po zhvillon studime të monitorimit të përplasjeve të zogjve në ndërtesa gjatë shtatorit dhe prillit, çdo vit, duke dërguar dhjetra vullnetarë në rrugët e qytetit për të gjetur zogjtë e rënë.
Organizata vlerëson se rreth 90 mijë deri 200 mijë zogj vriten përgjatë goditjes në ndërtesat në qytet çdo vit. /Ndërtimi.info/

