Trashëgimia
Dy inspektorë të trashëgimisë kulturore për 1618 monumente

I themeluar në shkurt të vitit 2018, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore për një vit ka ndërmarrë 27 veprime. Ka urdhëruar ndërprerje të punimeve nëpër monumente në Prizren, Prishtinë, Pejë, Deçan e Junik. Ka ngritur 7 kallëzime penale, pesë në Prizren, një për një rast në Pejë e një tjetër për një rast në Junik.
Por ky organ i trashëgimisë kulturore, që i përgjigjet direkt ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, ende nuk e di saktë se cili është mandati i tij. Për një vit nuk është hartuar e as aprovuar Rregullorja që do të përcaktonte në detaje përgjegjësitë e Inspektoratit. Por, për më tepër, organi funksionon vetëm me dy inspektorë. Ka nën mbikëqyrje hiç më pak se 1618 monumente. Prej tyre 1595 janë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme e 23 janë nën mbrojtje të përhershme.
Nëpërmjet një shkrese drejtori i Inspektoratit, Shkëmb Manaj, ka njoftuar ministrin e Kulturës, Kujtim Gashi, për punën e deritashme dhe njëkohësisht ka kërkuar që këtij organi t’i plotësohen disa kushte.
“Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore gjatë ushtrimit të mandatit është ballafaquar me sfida, të cilat ndikojnë në ushtrimin e plotë të kompetencave, rrjedhimisht në ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore…”, shkruhet në këtë shkresë të datës 28 shkurt të këtij viti.
Aty ceket se Inspektoratit i mungon korniza ligjore që do të qartësonte saktë kompetencat e këtij organi. Në shkresë shkruhet se Inspektorati ka një numër të vogël inspektorësh në raport me asetet e trashëgimisë kulturore që janë nën mbrojtje të shtetit. “Paqartësia e kompetencave ndërmjet institucioneve të trashëgimisë kulturore, Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore dhe drejtorive të Inspektoratit dhe Urbanizmit nëpër komuna, mungesa e koordinimit institucional dhe mungesa e infrastrukturës për kryerjen e inspektimeve në terren, siç janë veturat”, janë disa prej çështjeve që janë cekur në shkresë e për të cilat kërkohet zgjidhje. Kërkohet që të jetë të paktën një inspektor për 250 asete të trashëgimisë kulturore, që i bie të jenë 6 inspektorë.
