Aktuale
NPB-ja ndan 1 mijë euro për ndeshje futbolli

960 euro është shuma e parave që Ndërmarrja Publike Banesore në Prishtinë, ka shpenzuar për të organizuar ndeshje futbolli për punëtorët e saj.
Më 25 mars, NPB-ja ka nënshkruar kontratë me Qendrën Sportive “Bujqësia”, në të cilën punëtorët e ndërmarrjes, për një vit, do të luajnë futboll të vogël, raporton KTV.
Çdo të mërkurë, 12 punëtorë të NPB-së, për një orë, do të luajnë futboll në fushën sportive në Emshir të Prishtinës.
Përfaqësues të qendrës sportive thonë se çmimi që kanë ofruar është më i liri.
“Çmimi është 20 euro te ne, diku tjetër është 25 dhe 30”, ka thënë Ismet Ajvazi, nga Qendra Sportive “Bujqësia”.
Dren Kukaj, i cili është aksionar i ndërmarrjes nga Komuna, thotë se nuk ka informacione për këtë kontratë.
Ai ka sugjeruar që televizioni t’i drejtohet zyrës për media të ndërmarrjes.
Nga kjo zyrë kanë thënë se këtë aktivitet e kanë organizuar për ta ngritur motivin e punëtorëve për punë dhe për t’i afruar ata ndërmjet vete.
E pyetur se pse punëtorët nuk paguajnë këto ndeshje me mjete vetanake, zëdhënësja e NPB-së, Rajmonda Ahmetaj, ka thënë se ndërmarrja ka mundësi t’i mbulojë këto shpenzime.
“Këtë gjë e ka vlerësuar Bordi, i cili e ka kaluar, është diçka që nuk e vendosin punëtorët direkt. Kjo është trashëguar si aktivitet prej 2010-s dhe përgjegjësia për t’u vendosur se a mbahet apo jo, i kalon Bordit. Bordi e ka kaluar sepse është i arsyeshëm dhe mund të bëhet. Ka ndërmarrja aq fitim sa për ta bërë një gjë të vogël, nëse punëtorët do ta kishin bërë me mjete vetanake, ajo do të kushtonte 25 euro”, ka thënë Ahmetaj.
Për organizimin e këtyre termineve të futbollit, ishin dorëzuar tre tenderë. Ai me çmimin më të lartë ka qenë 1 mijë e 200 euro, ndërsa tenderi me çmimin më të ulët 960 euro.
