Connect with us

Aktuale

Shkolla politike e Titos, një relikë socialiste jugosllave në shitje

Published

on

Një ndërtesë e madhe moderniste në Kumrovec, fshati ku dikur trajnoheshin politikanët jugosllavë, ka ngelur në gjendje të keqe, por vendasit shpresojnë se ajo do të blihet dhe do të rikthehet në lavdinë e saj të mëparshme.

Afër kufirit të Kroacisë me Slloveninë, pranë fshatit Kumrovec, ku lindi lideri jugosllav Josip Broz Tito, ndodhet një ndërtesë gjigante moderne ku politikanët jugosllavë dikur studionin teorinë socialiste, por tani është lënë pas dore dhe është rrënuar.

Të shtunën, Ministria e Pronave Shtetërore e Kroacisë njoftoi një tender për shitjen e ish-shkollës politike Josip Broz Tito, me një çmim fillestar prej 11,960,000 kuna (1,618,210 euro).

Banorët e Kumrovecit janë shumë krenarë për atraksionin e tyre etnografik turistik, Fshati i Vjetër, muzeu më i madh në ambient të hapur në Kroaci me 30 objekte tradicionale banimi dhe ferma nga fundi i shekullit të 19-të dhe fillim të shekullit të 20-të, plus shtëpia ku ka lindur Tito.

Por ata janë më pak të lumtur për gjendjen e shkatërruar të shkollës politike Josip Broz Tito, e cila shpresojnë se mund të tërheqë më shumë turistë në fshat, nëse i shitet investitorëve dhe rinovohet, shkruan balkaninsight .

Ndërtesa moderniste vlerësohet nga shumë arkitektë dhe dashamirës të brutalizmit, por tani është e rrethuar nga shumë bar, me dritare të thyera dhe një çati të dëmtuar, ndërkohë që pjesa e saj e brendshme dikur tepër mbresëlënëse është e mbushur me pluhur, dhe dhe mbeturina. Bari po rritet edhe brenda ndërtesës.

Shumë vendas fajësojnë shtetin, pronarin e ndërtesës, për gjendjen e saj të rëndë. Disa sugjerojnë që zyrtarëve të shtetit nuk u pëlqen ky simbol i socializmit jugosllav.

“Shkolla është në një gjendje të tillë, kryesisht për shkak se ajo ishte një shkollë politike socialiste dhe shteti po e distancon veten nga kjo. Ata ndoshta nuk duan të kenë të bëjnë me të, ky është mendimi im,” tha Domagoj Pecnik, një student 24-vjeçar nga Kumroveci.

Ish-qendra e mendimit Marksist

Shkolla Politike Josip Broz Tito u themelua në vitin 1975 si institucioni qendror arsimor për stafin e Bashkimit Komunist të Jugosllavisë. Fillimisht shkolla ndodhej në një ndërtesë tjetër në Kumrovec, e cila tani njihet si Shtëpia Përkujtimore e Luftëtarëve dhe Rinisë së Jugosllavisë.

Tito tha se shkolla ishte e nevojshme për t’u dhënë anëtarëve të partisë një edukim më të fortë teorik.

“Ne kemi një numër të madh njerëzish që janë komunistë të mirë, por në aspektin e teorisë, ata janë të dobët. Kjo duhet të ndreqet. Duhet të njihen bazat e marksizmit,” u tha Tito zyrtarëve të shkollave në korrik 1976.

Branko Pratengrazer, një mësues në Shkollën Fillore Kumrovec, tha për BIRN se ai ishte një student në shkollën politike në vitet 1976-1977, kur shkolla ishte në vendin e saj të mëparshëm.

“Nuk mësova asgjë të gabuar atje. Vëllazëria dhe uniteti i të gjithë popujve dhe kombësive. Është gjë e keqe kjo?” pyeti ai.

Josip Mihaljeviç nga Instituti Kroat i Historisë tha për BIRN se gjatë 15 viteve në të cilat shkolla qe në funksion, më shumë se 600 persona dhanë mësim aty dhe më shumë se 1,500 vetë ndoqën mësimin.

Mihaljeviç tha se shumë emra interesantë nga fusha e filozofisë marksiste erdhën në Kumrovec për të marrë pjesë në panelet ndërkombëtare. “Lideri aktual serb i Kroacisë  Milorad Pupovac ishte një nga mentorët me kohë të plotë në shkollë, si dhe historiani malazez Serbo Rastoder dhe shumë të tjerë,” shtoi ai.

Drejtori i fundit i Shkollës Politike ishte Ivica Racan, i cili më pas shërbeu si kryeministër i Kroacisë nga viti 2000 deri në vitin 2003.

Pas mbylljes së saj në vitin 1990, shkolla u mor për herë të parë nga Ministria e Brendshme dhe pastaj u përdor nga Ministria e Mbrojtjes për trajnimin e trupave kroate.

Prona përfshin ndërtesën me katër kate me një hapësirë prej 5,901 metra katrorë, me salla leksionesh, një sallë sportive dhe 145 dhoma gjumi.

Në fund të vitit 1991, banorët e zhvendosur nga qyteti i rrethuar i Vukovarit u akomoduan në ndërtesë.

“Refugjatët ishin atje dhe ne ishim të lumtur që erdhën njerëz, që ata mund të gjenin një lloj akomodimi, pak siguri në kohë të vështira, kohë lufte,” tha për BIRN Ivica Hrastoviç, themeluesi i Nismës për Zhvillimin e Komunës Kumrovec.

Refugjatët e Vukovarit lanë pas disa nga sendet e tyre personale. Në ish-dhomat e tyre nëpër mure ka vizatime fëmijësh dhe postera. Është edhe një ambulancë për refugjatët, me gjërat mjekësore ende të shpërndara në dyshemenë e saj.

Ka ende gjurmë të epokës socialiste; në ish-bibliotekën e mbuluar nga pluhuri ka grumbuj librash dhe veprash teorike marksiste.

Në vitin 2012, kur u mësua se këto libra mund të përfundonin në plehra, një grup studentësh dhe profesorësh të Universitetit të Zagrebit shkuan në Kumrovec dhe i sollën disa prej tyre në kryeqytet, duke ua dhënë ato bibliotekës së fakultetit dhe të dashamirësve të librave.

Megjithatë, shumë libra mbeten ende të braktisur në ish-shkollën e lënë pasdore.

Përpjekje të dështuara për ta shitur

Shkolla doli në shitje për herë të parë në vitin 2003 me një çmim prej 26 milionë kuna (rreth 3.5 milionë euro) – e para nga katër përpjekje të pasuksesshme për ta shitur atë.

Hrastoviç fajëson zyrtarë të lartë për dështimin për ta shitur dhe rinovuar atë, duke pretenduar se “ka ende armiqësi ndaj Kumrovecit” midis politikanëve të lartë.

Ndryshe nga ndërtesa e shkollës, Shtëpia Përkujtimore e Luftëtarëve dhe e Rinisë së Jugosllavisë është në gjendje të mirë. Ajo është gjithashtu një ndërtesë gjigante me një kinema dhe pishinë brenda saj, por është e pastër dhe relativisht e ruajtur mirë.

Hrastoviç tha se kjo është për shkak se atje janë punësuar njerëz për ta ruajtur dhe pastruar vendin. Nisma për Zhvillimin e Komunës Kumrovec sugjeroi që shteti të bëjë të njëjtën gjë edhe me shkollën, por deri më tani kjo nuk ka ndodhur. “Ne besojmë se ndoshta kjo është e qëllimshme,” tha ai.

Nisma madje sugjeroi që shteti t’ia dhurojë ndërtesën komunës që kjo e fundit të sigurohet që ajo të mos shkatërrohet më tej. “Ne do të gjenim dikë që ta blejë atë,” këmbënguli Hrastoviç.

Arkitektura “futuriste” mund të tërheqë turistë


Robert Splajt, kryetari i komunës së Kumrovecit, tha për BIRN se edhe pse ish-ndërtesa e shkollës është në gjendje shumë të keqe, nga aspekti i strukturës ajo është në gjendje të mirë.

“Por sigurisht që nevojitet restaurimi i të gjithë çatisë dhe pjesëve të drurit, si edhe pjesa e brendshme duhet të modernizohen. Në thelb, nevojitet një investim i madh,” tha Splajt.

Ndërtesa është listuar në bazën e të dhënave #SOSBrutalism, e cila është një platformë që përpiqet të shpëtojë “përbindëshat e saj të dashur prej betoni” në mbarë botën.

“Pavarësisht nga funksioni i lart politik, dizajni nuk është aspak tradicional, reaksionar apo nostalgjik. Ai është futurist dhe modern,” tha për BIRN Felix Torkar, një historian arkitektonik nga SOS Brutalism.

Torkar tha se do të jetë e vështirë të ruhet arkitektura nga Jugosllavia socialiste “thjesht sepse në mendjen e popullit ajo përfaqëson regjimin e mëparshëm”, por shembujt kryesorë nga kjo periudhë duhet të ruhen për shkak të dizajnit të tyre unik dhe vendit që kanë në histori.

Për “Ditën e Rinisë” që në kohën e Jugosllavisë festohej më 25 maj, disa mijëra njerëz vizitojnë Kumrovecin për të shënuar ditëlindjen e Tito, i cili ka lindur atje në vitin 1892.

Splajt tha se mendon se rinovimi i ndërtesës së shkollës do të sillte më shumë turistë në fshat, si edhe vende të reja pune.

“Kumroveci – fshati më i famshëm në botë, siç e kemi quajtur ne – vizitohet çdo vit nga 100,000 njerëz,” tha ai.

“Ai ka një potencial akoma më të madh për deri në një milion vizitorë në vit,” shtoi ai.

Hrastoviç tha se shoqata e tij ka propozuar që ndërtesa e vjetër e shkollës të shndërrohet në një lloj qendre kongresesh për konferenca biznesi.

Ai u shpreh se investitorët nuk duhet të tërhiqen pas nga lidhjet e Kumrovecit me të kaluarën socialiste të Jugosllavisë.

“Në fund, nëse ka njerëz që nuk e pëlqejnë imazhin e Kumrovecit, ata nuk do të vijnë këtu. Të tillë njerëz nuk duhet të vijnë këtu,” tha ai. /balkaninsight/

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending