Aktuale
Pa përfunduar ende, dëmtohen shkallët e Dragodanit

Nisen para një viti për tu kryer për 120 ditë, po fundi i rregullimit të shkallëve në lagjen Arbëria në Prishtinë akoma nuk po shihet.
Punët për ndërtimin e shkallëve në Arbëri të Prishtinës janë neglizhuar shumë. Ende pa përfunduar punët ka filluar dëmtimi në strukturën e betonit.
Lajmi.net ka fotografuar pushimoret prej betonit, aty vërehet se cilësia e betonit është e dobët. Kanë filluar të shkëputën kokërrzat betonit në qoshe të shkallëve, ndërsa sipas specifikave teknike që ekzistojnë për këtë tender është kërkuar klasë e lartë e betonit.
Lajmi.net ka adresuar disa pyetje në zyrën për informim të Komunës së Prishtinës lidhur me cilësinë e punimeve, kryesisht për shqyrtimet laboratorike të betonit, por nuk ka marrë përgjigje.
Po ashtu, kanali atmosferikë gjatë reshjeve ka nisur të bjer më poshtë përreth objektit, ndërsa është bërë dëmtimi edhe i parmakëve.
Sipas, kontratës së nënshkruar, vlera e projektit është 463,262.41 euro dhe plani dinamik i kryerjes së punimeve është 120 ditë. Kontrata është nënshkruar më 5 shkurt të 2018, kurse punët për ndërtim kanë filluar në mars dhe ende nuk kanë përfunduar.
Kompania që e fitojë këtë tender është “NBT -ING” SH.P.K, nga Suhareka. Në garë për të fituar këtë punë kanë qenë 14 kompani.
Projekti i cili quhet “Revitalizim i shkallëve dhe ndërtimi i mbikalimit, në lagjen “Arbëria””, që parasheh punime në rreth 300 metra gjatësi, me shkallë të gjera 2.5 metra, të shtruara me gurë natyror me trashësi prej 10 centimetrash.
Po ashtu, parashihet të rregullohet edhe kanalizimi atmosferik, ndriçimi si dhe hapësirat përcjellëse për pushim. Sipas planifikimit do të ndahen edhe këndet e lojërave për fëmijë, si dhe do të shtohen hapësirat e gjelbra rreth shkallëve. /Lajmi.net/
















