Arkitekturë
Sahat Kulla e Prishtinës me kambanë të 1764-ës, e mekanizmi iu vodh më 2001
Dikur orët e dorës nuk ishin shumë të shpeshta në duart e njerëzve, prandaj rolin e tyre e zëvendësonte një orë gjigante e vendosur në majë të një kulle. Planifikimi dhe organizimi I jetës shpesh lidhej me këtë objekt. U ndërtua në ish-zemrën e qytetit të vjetër të Prishtinës, duke u etabluar si simboli kryesori i qytetit.
Kjo kullë ka shërbyer si mjet për t’i informuar qytetaret dhe tregtarët për kohën e lutjes, por edhe tregtarët pranë që ndodheshin në treg. Sahat-Kulla siç e quajnë vendasit është një monument me vlera kulturore, historike dhe arkitektonike, që hyn në listën e Trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme.
Historia e kësaj kulle daton nga shekulli XIX-të, përkatësisht në gjysmën e dytë të shekullit. Ajo është një nga monumentet më të rëndësishme të arkitekturës utilitare në kryeqytet. Historia e kullës lidhet me emrin e Jashar Pashë Gjinollit . Kambana e vjetër e kësaj kulle është sjellë nga turqit gjatë luftërave të tyre në Moldavi dhe Vllahi të cilën e morën si plaçkë luftë dhe si të tillë e sollën në Vushtrri dhe e vunë në sahat kullë. Ndërsa me urdhrin e Jashar Pashës kambana është sjellë nga Vushtrria në Prishtinë. Në sipërfaqen e kambanës gjendej një mbishkrim rumun nga viti 1764 i Vojvodës Jan Moldovanit që në gjuhën shqipe do të thotë: “Kjo Kambanë është punuar për Vojdovën Jan Moldovanin në vitin 1974”.
Kambana përmban një numër të madh të dekoreve, të ornamenteve të ngjashme më gjethet e ahut. Pavarësisht rrugëve të gjata të kaluara, kambana ishte në gjendje të mirë dhe nuk kishte dëmtime të mëdha. Në vitin 2001 asaj i është vjedhur mekanizmi I kambanës origjinale. Ndërsa një vit më vonë, KFOR-i francez vendosi një mekanizëm elektronik që u dëmtua dhe nuk funksionon.
Kulla ka një lartësi prej 26 metrash. Është ndërtuar me tulla dhe gurë heksagonal, e murosur me gurë deri në 16.5 metra lartësi, ndërsa pjesa tjetër e kullës është më tulla të plota. Baza e ndërtesës është gjashtëkëndëshe .Fasada e sahat kullës ka hapje të vogla harkore. Konstruksioni i kulmit është shumë i veçantë prej strukturës së drurit të mbuluar me plumb. Këndet e ndërtesës janë të realizuara me gurë të gdhendur të lidhur me llaç gëlqeror, kurse sipërfaqet lidhëse janë të ndërtuara me gurë të parregullt të lidhura dhe të suvatuara gjithashtu me llaç gëlqeror. Në brendi janë shkallët rrethore, në të cilat janë të vendosura pllaka të gurëve (rrasa) me trashësi prej 3cm.
Duke qenë në një pjesë shumë të frekuentuar të qytetit të Prishtinës ajo sot vazhdon të mbetet atraksion turistik që tërheq vizitorë, por që do të duhej një mbrojtje dhe kujdes më i madh që ajo të këtë funksionin total.
You must be logged in to post a comment Login