Aktuale
Dënim me kusht me 3 muaj burgim e 300 euro gjobë për rrafshim monumenti

Për Gjykatën Themelore të Pejës, rrënimi i një monumenti nuk “kushton” më shumë se 3 muaj burgim me kusht e 300 euro gjobë, po ashtu me kusht. Ky është dënimi që kjo Gjykatë ka shqiptuar për “agjësimin” e monumentit që mbrohej nga shteti qysh nga viti 1949.
Në prill të vitit të kaluar ishte rrafshuar ndërtesa njëkatëshë, që mbrohej si “Shtëpia e Heroit të Popullit Ramiz Sadiku” në Pejë. Asokohe autoritet kishin nisur hetimet, shkruan sot “Koha Ditore”. Ishte ngritur aktakuzë ndaj Sakibe Harxhit, që ka rrënuar monumentin që ishte në emër të bashkëshortit të saj, Isa Harxhi.
“…e njëjta ka angazhuar persona për rrënimin e objektit të lartëshënuar me arsyetimin se është pronë në emër të bashkëshortit të saj Isa Harxhi, me ç’rast e njëjta e ka rrënuar në tërësi edhe pse ka qenë në dijeni se në këtë pronë ka qenë e vendosur një pllakë”, shkruhet në aktgjykimin e Gjykatës, që është nxjerrë më 21 janar të këtij viti. Dënimi me burgim dhe gjobë nuk do të ekzekutohet nëse e pandehura në afat prej një viti nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale. Krejt çfarë është detyruar të paguajë rrënuesja e monumentit janë 25 euro për shpenzime procedurale e 15 të tjera për paushallin gjyqësor.

Në Aktgjykim shkruhet se e pandehura e ka pranuar fajësinë dhe ka deklaruar se nuk e ka ditur që me veprimin e saj ka bërë vepër penale.
Në monumentin që gjendej në rrugën “Emrush Miftari” në Pejë, më 1915 u lind heroi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Ramiz Sadiku. Në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme ka numrin rendor 435 dhe ishte ndër ndërtesat e para që kishte hyrë nën mbrojtje si aset i trashëgimisë kulturore në ish-Krahinën Socialiste të Kosovës.
