Aktuale
MMPH ndihmon Prishtinën për Hartën Zonale

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi, sot ka pritur kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, së bashku me nënkryetarin, Selim Pacolli, dhe bashkëpunëtorët e tij.
Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin mes dy institucioneve në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor, projektet e përbashkëta, duke përfshirë hartën zonale, krijimin e zonave të gjelbra, veturat elektrike, deponinë e materialeve të ngurta dhe tema të tjera mes dy institucioneve.
Ministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi, tha me Komunën e Prishtinës do të bashkëfinancojë shumë projekte, një nga to edhe hartimi i Hartës Zonale, si një dokument shumë i rëndësishëm në fushën e planifikimit.
“Ne jemi dakorduar që bashkë me Komunën të përfshihemi në projektin e hartimit të Hartës Zonale dhe MMPH do ta mbështesë Komunën në këtë drejtim. Do të vazhdojmë të jemi përkrahë Komunës në fazën e përcaktimin të lokacionit të deponisë së materialeve të ngurta dhe do ta mbështesim edhe në mënyrë financiare”, tha ministri Matoshi.
Projekte të tjera që MMPH do të realizojë në Prishtinë janë: Trajtimi i ujërave të zeza, krijim i gjelbërimit vertikal, krijimi i zonave të gjelbra, si dhe rregullimi i disa shtretërve të lumenjve.
“Kemi pasur kërkesë nga komuna për ta mbështetur me një kamion për lëvizjen e drunjve dhe ky është një projekt që ministria do ta mbështes. Një problem tjetër ka të bëjë edhe me dheun që nxirret me rastin e ndërtimeve dhe ne duhet të gjejmë një vend ku ta deponojmë, dhe për këtë do ta përcaktojmë edhe lokacionin. Jemi dakorduar që për këto projekte në një të ardhme të afërme të nënshkruajmë edhe memorandume të bashkëpunimit me Komunën e Prishtinës”, tha Matoshi.
Ndërsa kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se të gjitha këto projekte kanë rëndësi të veçantë për kryeqytetin.
“Ajo çka dua të potencojë është procesi i Hartës Zonale të Komunës. Ne i kemi përfunduar të gjitha punët përgatitore dhe ideja ka qenë që ta kërkojmë ndihmën e MMPH-së për shkak që në këtë ministri gjendet një kapacitet i jashtëzakonshëm që na ndihmon në përfundimin e këtij procesi. Pra kjo ka qenë për mua pjesa më e rëndësishme”, tha Ahmeti.
Komuna e Prishtinës do të ketë edhe dy stacione për mbushjen e makinave elektrike, bashkëpunim ky me USAID-in dhe MMPH-në, deklaroi në fund Ahmeti.

