Aktuale
Për herë të katërt dështon tenderi për Planin Zhvillimor të Prishtinës, synohet të hartohet këtë vit

Komuna e Prishtinës nuk po arrin që të fillojë procesin për hartimin e Planit Zhvillimor të Prishtinës. Kjo pasi, për herën e katërt ka dështuar që në hapat e parë të procesit të prokurimit.
Edhe pse ky plan është dashur të përfshijë periudhën kohore 2018-2026, tashmë jemi në vitin e dytë që projekti ishte dashur të ishte në implementim.
Në njoftimin për anulim të procedurave të prokurimit, të datën 13 të këtij muaji, Komuna e Prishtinës arsye ka dhënë se një dispozitë në Ligjin e Prokurimit Publik kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit.
Ndërsa, në një përgjigje për Ndërtimi.info, zyrtarja për informim në Komunën e Prishtinës, Miranda Mullafazliu ka thënë se anulimi në tri raste është bërë pasi nuk ka pasur numër të mjaftuar të aplikimeve të operatorëve ekonomik.
Ajo, sqaruar edhe arsyen e anulimit për herën e katërt.
“Komuna e Prishtinës, që nga viti i kaluar, ka shpallur katër herë tenderin për mbështetje teknike për hartimin e PZHK-së, por nga këto tenderë nuk ka dalë asnjë fitues sepse në tri rastet e para, (meqë tenderi ka qenë me procedurë të kufizuar) nuk kanë aplikuar numër i mjaftueshëm i kompanive, për t’u shqyrtuar më tutje. Në rastin e katërt, kanë aplikuar pesë kompani por katër prej tyre kanë qenë oferta të papërgjegjshme”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër, ajo thekson se synimet e Komunës janë që ky plan të hartohet deri në fund të këtij viti.
Tenderi për këtë projekt ishte hapur tri herë gjatë muajve të fundit të vitit 2018, më 29 tetor për herën e parë dhe pas anulimit, ishte shpallur më 26 nëntor, por prapë pa fitues. Ritenderimi i radhës kishte ndodhur më 24 dhjetor, për tu anuluar prapë, e që për herën e katërt tenderi u hap më 21 janar të vitit 2019.



