Arkitekturë
Një fjalë në muaj nga Gjirokastra: Fustanella
Kreshnik Merxhani sjell fjalë nga fondi i trashëgimisë kulturore shqiptare në formën e një rubrike periodike, të cilat do të vijnë në formën e një botimi “Fjalori i Arkitekturës Tradicionale në Gjirokastër”, i cili është në punë e sipër.
Fustanellë/a Shum. Fustanell/at
Emër
Kështu emërtohet një mënyrë element që i vendoset strehëve në ballet e odave të banesave të cilat në pjesën e këndeve të tyre tradicionalisht kanë qenë të rrumbullakosura dhe mbaheshin prej tre teskekëve që quhen “tre vëllezërit” (për këtë shih fjalën përkatëse).
Fustanella është kështu një dërrasë e hollë rrobulli (lloj pishe e kuqe) e gdhendur me motive dekorative që krijojnë një ritëm dhe krijojnë kështu një perde (perdhe) të strehëve duke shërbyer dhe si pikore në rastin kur shiu mundet të shkojë aty prej erës. Emrin me siguri e ka marrë nga forma e rrumbullaktë dhe hapja e saj njësoj si fustanella e kostumit kombëtar.


Shkallë Fustanellë
Emër
Kështu emërtohen shkallët helikoidale, shkeljet (basamakët) e të cilave rrotullohen rreth një aksi, apo dhe pjesë të shkallëve ku për arsye të mungesës së hapësirës, pjesë e rampës së tyre zgjidhet me shkelje të tilla. Emërtimi ka ardhur pa dyshim nga pjesa e fustanellës së kostumit kombëtar, palët e së cilës shpërndahen nën të njëjtën logjikë rreth belit.



Ilustrime për fustanellën, bazuar në piktura me temë shqiptare të shek. 19-të. Brezi dhe palat e saj, forma qëndrore prej të cilave marrin emrin elementet arkitektonike të sipër përmendur




