Featured
“Po shkoj n’punë me dekë”

Data ishte shtatë. Muaji Mars, pikërisht koha kur fillon puna në ndërtim dhe dimri ka kaluar. Rroga ende nuk i ka dalë në bankë, e as pjesën tjetër që e merr kesh nuk e ka marrë. Frustrimin për shefin s’ka ku ta shfryejë sepse atë nuk e sheh fare. Megjithatë, duhet të punojë se ka pesë fëmijë që duhet të mbushin barkun.
Shkruan: Uran Haxha
Zgjohet në ora 5 të mëngjesit, kur ndoshta shefi i tij kthehet në shtëpi nga ndejat. Familjen e lë në gjumë. Atë ditë i shkëmbeu ca fjalë me gruan në mëngjes. U nis te shitorja e katunit. Aty është vendi ku bashkë me kolegët tjerë bëhen gati të hipin në kombibusin që ka 8 vende, por aty duhet të ulen 12 persona. Nga fshati i tij e deri në kryeqendër kokën ngjitur për dritare të kombibusit ia lëvizin gropa të cilave djali i vllaut të shefit nuk mund t’iu ikë kur i vozitë për në punishte. Atje ku do ta kalojnë ditën.
Kur kalon kah qyteti i Fushë Kosovës, tip paralagje e Prishtinës, s’mund të shmang shikimin në të djathtë. 100 metra përtej rrethit të famshëm. Ndërtesa e gjelbër. Kati i gjashtë. Aty përpak kishte humbur jetën teksa punonte. Ishte fati i tij që krejt afër i kishte qëlluar një koleg e shok, që e kishte kapur për dore. Ndoshta aty kishte qenë hera e vetme kur ia kishte parë hajrin mos-veshjes së dorezave të punës, pasi mendonte se do t’i rrëshqisnin tek kolegu i tij.
Futen rrugëve të Prishtinës. Ora ka prekur 6:30. Vetëm sa kanë nisur të lëvizin makinat. Krah për krah sikur “sardinat në konzervë” brenda kombibusit qëndrojnë pa lëvizur. S’flet kush me gojë në atë mëngjes. Ngjitur ka një 19-vjeçar, po ashtu i fshatit. Punëtor i ri, i mirë, që dëshiron të japë maksimumin sepse tutet se mos nuk po e marrin më në punë. Ecin kah Stacioni i Autobusëve, ngjitën lartë kah Termokos-i, nëpër rrethin e ashtuquajtur “Rrethi i Flamurit”, në drejtim të QKUK-së për të shkuar në Lagjen e Spitalit. Kah QKUK-ja kishte kthyer kokën dhe ia kishte ngulur sytë. Dy-tri herë kishte përfunduar duke dërguar shokët që lëndoheshin në punë.
Hyjnë nëpër rrugën “Muharrem Fejza”, ku shumë prej atyre që lëviznin në ato orë të hershme të mëngjesit potencialisht jetojnë dhe bëjnë gjumë në banesat që njerëzit brenda atij kombibusi i kishin ndërtuar. S’vonojnë shumë dhe gjenden në kantierin e ndërtimit, n’i thënçin i tillë. Rrethoja s’ka, skele ka vetëm në tri katet e para, sepse ashtu ishte dashur të bëheshin atë kohë për t’ia treguar inspektorëve, vend për zhveshje hiç se hiç apo edhe më pak një vend ku mund të pijnë së paku një kafe a çaj për t’ia filluar ditës.
Puna po bëhej në katin gjashtë, duke llogaritur edhe përdhesën. Do të bëjnë gati shtyllat që të betonohen të nesërmen. U kërcitën gishtat, dikush drodhi pak duhan prej më të vjetërve, e prej më të rinjve e nxorrën nga paqeta e kuqe e atij llojit të lirë të duhanit, që kundërmon në qindra metra. Lidhin rripat, ku vjerrën mjetet e punës dhe ngjitën përpjetë shkallëve. Njëri prej tyre zgjatë kokën të shoh se mos i kanë sjellur në kantier, në “çyshkin e haleteve”, helmetat. Të tjerë presin nga ai përgjigje. Ai veç me kokë tregon se helmeta nuk ka, edhepse dje u ishte thënë që do t’i kenë aty.
Askush s’fliste me gojë ende. Aty kah ora 7:00 kërset goditja parë e çekanit. Dy më të rinjët heqin gozhdët dhe gërryjnë ndonjë mbetje më të madhe të betonit nga dërrasat që krijojnë kallëpin e shtyllave. Dy të tjerë poshtë lakojnë armaturën, kurse tjerët lidhin. Në lagje fillojnë lëvizjet. Disa shikojnë në katin e gjashtë teksa nxitojnë këmbët për në punët e tyre. Çekanët fillojnë edhe në një ndërtesë tjetër përballë. Kështu e gjithë paraditja shkon duke lidhur armaturën në shtyllat që do mbajnë katin e shtatë përmbi. Diku në ora 11:00 është koha kur shkojnë në një gjelltore aty afër të ushqehen. Kanë tri zgjedhje. Mund të marrin pasul, gullash apo këto dyja të kombinuara mes vete. Kjo e fundit merret më së shumti prej tyre. Aty hapen paksa, qeshin, folin, ushqehen me shumë bukë e pak mish, më pas i kthejnë barkut edhe ca çaj rusi. Lajnë duart dhe nisen në këmbë me cigare në dorë për në punishte.
Koha ishte e nxehtë, një rreze dielli i ngrohte në këtë pranverë të hershme, pas një dimri bukur të fortë. U ngjitën lartë përsëri. Armatura gati ishte kryer, kështu që filluan të fiksonin dërrasat e pastruar nga dy të rinjtë. Kryepunëtori u tha së pari të kryejnë ato shtylla që janë nëpër skaje të objektit. Aty ku kishte ballkon afër, ishte më lehtë. Aty ku s’kishte, vinin nga dy traje më të fortë, të lidhur mirë. Më pas dërrasa përmbi dhe mund të dilnin në anën tjetër, ANËN E VDEKJES. Aty fiksonin fortë dërrasat.
Shtylla e parë u krye, e dyta po, tek më pas te njëra shtyllë në skaj, me çekan në dorë shkonte 19-vjeçari, të cilin e kishte pasur në krah përgjatë gjithë rrugës.
“Hej mos u mërdhez aty shpejt, kadal e kujdes”, i kishte bërtitur nga qoshi tjetër i objektit, e ai djalë mendjeri, i ishte kthyer “ihaaa bre bac, mos mthuj me ec asfaltit se për qesi sene jemi bo t’fortë”. Ca qeshje e kishin përcjellë pas këtyre fjalëve.
Po punonte mu aty ku kishte gozhduar anën që kishte afër. Duke e zgjatur krahun në tërësi e mbërrinte edhe anën tjetër. Ashtu edhe filloi. Bum-bam, bum-bam, bum-bam gozhdoi së pari pozicionin lartë. Më pas u ul në ato dërrasa dhe gozhdonte pozicionin poshtë. Kur ishte ulur, rripi i mjeteve të punës i ishte kapur fortë pas një copëze të dërrasës bashkë në gozhdë, që kishte mbetur në pllakë. Ai, gozhdoi të gjitha. Kur kishte marrë të ngrihej, rripi i ngjitur fortë ia ka humbur ekuilibrin dhe nën një bërtimë të madhe përfundoi nga kati i gjashtë në rrugicën e vogël të shtruar me kubëza.
“O kukuu raaa, raaaa, o ngani se shkoj bre pasha Zotin”, i tmerruar bërtiti i pari, të tjerë shpejt teposhtë. Kur shkuan, e vetmja gjë që mund të bënin ishte që t’ia mbulonin trupin. S’shkuan shumë kohë dhe aty u mbush me njerëz. Erdhën të gjithë, me policë, me ambulancë, inspektorë, drejtorë, gazetarë, e gjithçka.
Shokët e tij qanin në këmbë. Vetëm ai që i tha “mos u mërdhez”, në një skaj ishte ulur në një bllok të bardhë. Bërrylat i kishte mbështetur mbi gjunjë dhe pikonte lotë. Në telefon s’vonoi dhe e thirri gruan e tij.
“A pe sheh që nuk gabova n’sabah kur të thash që po shkoj n’punë me dekë”.
Kjo është një ngjarje e gërshetuar mes trillit dhe të vërtetës, që pasqyron në një përqindje të lartë punën e punëtorëve të ndërtimit në Kosovë. Kështu dhe në forma tjera vetëm gjatë vitit 2018 kanë vdekur 24 persona në Kosovë. E në vitin 2019, tashmë është shënuar vdekja e dytë.
