Aktuale
Lejet Ndërtimore po mbushin me të madhe xhepin e Komunës së Prishtinës

Duke qenë se Prishtina është një kantier i madh ndërtimi, atëherë edhe pagesat administrative në institucionet lokale, nuk janë të vogla dhe po vazhdojnë të rriten prej vitit në vit.
Dallimi që kanë të hyrat e Komunës së Prishtinës, duke krahasuar dy mujorët e parë të vitit të kaluar dhe të këtij viti është i dukshëm.
Vetëm në periudhën janar-shkurt nga taksat për leje ndërtimi, për leje mjedisore komunale, infrastruktura rrugore, kadastër dhe gjeodezi, në buxhetin e saj Komuna e Prishtinës ka mbledhur mbi 2 milionë euro (2,024,577).
Të paktën kështu tregojnë të dhënat e platformës “Prishtina Open Data” të hyrat nga taksat për leje ndërtimi në dy mujorin e vitit 2019 janë 1 milion e 485 mijë euro (1,484,329,06), për dallim prej vitit të kaluar që kanë qenë mbi 1 milion e 320 mijë euro (1,319,844.65), raporton Ndertimi.info.
Vetëm tash deri më 15 mars, Komuna e Prishtinës, saktësisht Drejtoria e Urbanizmit, ka lëshuar jo më pak se 27 leje ndërtimi, prej të cilave 10 janë leje për ndërtesa të larta, nga P+4 deri më P+12 kate.
Të hyrat nga lejet mjedisore komunale për dy mujorin e parë të këtij viti janë mbi 41 mijë euro (41,321.14), ndërsa për vitin paraprak 37 mijë e 268 euro (37,267.73), që do të thotë rreth katër mijë euro më shumë se viti i kaluar.
Sa i përket të hyrave nga taksat e infrastrukturës rrugore, të hyra në buxhetin e Komunës ka rreth 378 mijë euro (377,868,55), për dy mujorin e parë të vitit 2019, kurse nga viti i kaluar janë mbi 163 mijë euro (163,181,186).
Ndërsa, të hyrat nga taksat e Kadastrit dhe Gjeodezisë për këta dy mujorë janë mbi 131 mijë euro (131,059.68), por që për vitin 2018 nga kjo periudhë kohore janë grumbulluar rreth 79 mijë euro (78,659) në buxhetin e kryeqytetit.
