Aktuale
Me amerikanen që restauroi trashëgiminë kosovare: Kur historikja zhduket, zhduket përgjithmonë
Si Shqipëria ashtu edhe Kosova, njihen si vende me një trashëgimi të gjerë kulturore, përfshirë monumente, veshmbathje, muze gjithashtu edhe një menu të pasur me ushqime tradicionale. Këto thesare i bëjnë të dyja vendet tërheqëse për vizitorë nga e gjithë bota. Ky mund të jetë vendi i vetëm në Evropë, edhe mund të shijosh ca doza aventure.
Shkruan: Agnesa Sejdiu
Mirëpo, shumë prej shtëpive që paraqesin jetën e shqiptarëve atëbotë, e të cilat mund t’i hasësh në plot zona të Shqipërisë dhe Kosovës, janë në gjendje të mjerueshme. Edhe ato që i kanë rezistuar kohës janë buzë shembjes. Në përpjekje për t’i shpëtuar ato, që edhe shumë gjenerata të tjera të kenë mundësi që të njihen me historinë e shqiptarëve, shumë organizata në mbrojtje të trashëgimisë, luftojnë ende për mbrojtjen e tyre, në të shumtën e rasteve të mbështetur masivisht nga shoqëria civile, shkruan Ndërtimi.info.
Në një mision të tillë, në përpjekje për t’i rikthyer në jetë ndërtesat dhe monumentet historike në të gjithë botën, “Adventures in Preservation (AiP)” nga SHBA, përfundoi në Shqipëri dhe Kosovë, duke bërë një punë të jashtëzakonshme së bashku me shumë vullnetarë.
“Adventures in Preservation” u krijua nga dy gra, të cilat kishin një dashuri të madhe për ndërtesat historike dhe një dëshirë të madhe për të udhëtuar dhe për të kuptuar botën. Judith Broeker dhe Jamie Donahoe.
Për Ndërtimi.info, Judith Broeker, njëra nga themelueset e organizatës, tregon për përvojën e saj në Shqipëri dhe Kosovë, nga ku u larguan duke lënë pas një punë të madhe.
Një opsion në webfaqen e tyre i cili është i hapur për cilindo komunitet që ka nevojë për ndihmë për të shpëtuar ndonjë ndërtesë të vlefshme historike, një ditë kishte pranuar një kërkesë nga një banor i Gjirokastrës. Ai kërkonte ndihmë për ringjalljen e pazarit të tyre të shquar historik, që përfshin strukturat tregtare dhe banesore.
Organizata e tyre pranon vetëm një projekt të ri çdo vit, prandaj ky është një proces shumë konkurrues. Përgjatë punës së tyre në Gjirokastër në vitin 2015, një nga vullnetarët e tyre fotograf, i cili jetonte në New York, me origjinë nga Kosova, u kishte treguar atyre për nevojën për ndihmë në Kosovë.
Më pas ekipi i tyre kishte shkuar në Drenoc të Deçanit për të përcaktuar nëse mund të merrnin një projekt. Në vitin 2016 një ekip vullnetar shkuan në Drenoc për të ndihmuar në riparimin dhe transformimin e një kulle historike në një bujtinë e cila do të ndihmonte në ekonominë lokale.
Të gjithë ata që ndihmuan në këto projekte, pra, vullnetarët, të cilët janë mesatarisht pesëmbëdhjetë për çdo projekt, e duan shumë punën, ngase siç shprehet Broeker, në fund të ditës, mezi i ndalojnë.
“Maksimumi që ne mund të marrim në javë është pesëmbëdhjetë, sepse ne duam që secili person të ketë trajnim nga eksperti në vend, duke ndjekur udhëzimet, pasi secili person përdor aftësitë e tij të reja për të ndihmuar në përfundimin e punës. Gjithmonë u rikujtojmë njerëzve për sasinë e madhe të punës që mund të realizohet, qoftë edhe nga një grup prej pesë personash! Çështja e vetme që kemi me vullnetarët e AiP është që t’i bëjmë ata të ndalojnë së punuari në fund të ditës. Të gjithë duket se e duan punën dhe janë të fokusuar që të bëjnë sa më shumë punë që të jetë e mundur”, thotë ajo.
Një nga projektet e tyre, që përfshin futjen në ripërdorim të një kulle historike si banesë për turistë, ishte bërë në bashkëpunim me Cultural Heritage Without Borders (CHwB). Broeker thotë se si në Shqipëri gjithashtu edhe në Kosovë, qëllimi i ruajtjes së ndërtesave nuk është vetëm ruajtja e historisë dhe kulturës së rajonit, por përdorimi i tyre për të mbështetur rritjen e turizmit të trashëgimisë.
Megjithatë, vizita e tyre në të dy vendet u kishte lënë shumë mbresa.
“Çdo projekt i ri që AiP merr më lejon të përjetojmë një kulturë të re dhe interesante. Një nga pikat kryesore të një udhëtimi në AiP është të zhytësh veten në kulturën unike të zonës duke përfshirë ushqimin, ngjarjet, vendet historike dhe kulturore, si dhe takimin me anëtarët e komunitetit. Ne kurrë nuk jemi të zhgënjyer! Trashëgimia arkitekturore e Shqipërisë – e paraqitur nga kulla e Gjirokastrës – është e pabesueshme. Çudia e eksplorimit të rrugëve të pjerrëta dhe rrugët e qytetit historik të Gjirokastrës mbetet një nga kujtimet e mia të preferuara të udhëtimit. Isha transportuar në një botë tjetër. Në Kosovë, jetuam me një familje lokale, dhe mësuam rreth ushqimit tradicional, praktikave bujqësore, dhe historisë së kullës dhe përdorimit të saj. Ne të gjithë u bëmë miq të shkëlqyeshëm dhe disa nga grupi i AiP u kthyen për të vizituar familjen që na kishte pritur. Meqenëse shumica e vullnetarëve të AiP janë gra, ne përpiqemi të inkurajojmë gratë në komunitetet ku punojmë të ndihen të sigurta për t’u bashkuar me ne në punë dhe të mësojmë aftësi të reja”, tregoi ajo.
Puna në ruajtjen e ndërtesave ka një ndikim të madh, sidomos në jetën e komunitetit përreth. Ruajtja e tyre, ruan identitetin e vendit, ato mbajnë gjallë kreativitetin e njerëzimit, dhe nëse një e tillë zhduket, atëherë zhduket përgjithmonë.
Versionin anglisht të këtij artikulli e gjeni këtu: https://ndertimi.info/adventures-in-preservation-if-once-a-historic-building-is-gone-its-gone-forever/