Aktuale
Dëmtimet e fasadës së murit në Kalanë e Novobërdës mund të jenë me rrezik për qytetarët

Kanë kaluar vetëm tri vite që kur kompania serbe “Koto” ka renovuar Kalanë e Novobërdës me fondet e UNESCO-s, mirëpo mjaftuan vetëm kaq vite për të kuptuar që puna nuk është bërë si duhet.
Enver Rexha drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës, tha se kur është vërejtur që fasada e murit të Kalasë ka filluar të bjerë menjëherë është raportuar në Ministrinë e Kulturës, por është lajmëruar edhe UNESCO-n si kontribuese. Gjithashtu është marrë edhe llaqi për ta dërguar në laborator për analiza në mënyrë që të dihen shkaqet e dëmtimit.
Ai tregoi edhe se sa e rrezikshme është kjo për vizitorët që vijnë për të vizituar Kalanë por edhe masat të cilat ata i kanë marrë.
“Që nga tetori kemi ndaluar vizitorët, kemi lënë edhe roje sepse dikush nuk bindet”, deklaroi Rexha.
Edhe Fitmi Bunjaku, ciceron në Novobërdë, tha se janë vendosur shiritat për të mos lejuar kalimin, mirëpo shpeshherë kjo masë nuk përfillet nga ata që vijnë për ta vizituar Kalanë.
“Janë vendosur edhe shiritat, por mungon vetëdijësimi në komunitet sepse ka prej atyre që hipin mbi mure për të bërë selfie, por do të merren tash e tutje më shumë masa”, tregoi Bunjaku.
Ndërsa Arben Llapashtica, fotograf tha se legjenda për “qypin me flori” që gjendet në Kalanë e Novobërdës ka bërë që të gërmohet brenda kalasë në kërkim të thesarit, si nga banorët por edhe të huajt.
Ai gjithashtu tregoi që në Novobërdë, si komuna më e varfër, ka edhe monumente të tjera që janë me rëndësi për trashëgiminë kulturore, por që investimet në këtë komunë janë shumë sipërfaqësore dhe përveç shkatërrimit njerëzit edhe po largohen nga atje.
Fotografitë e bëra nga fotografi Arben Llapashtica:








