Aktuale
Zejna shpalos platformën online për OSHP-në

Isuf Zejna nga Demokracia Plus ka shpalosur në Interaktiv të KTV-së një platformë të re online, të dedikuar për të pasqyruar vendimet e Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Ai ka thënë se kjo do të jetë një databazë ligjore ku të interesuarit mund të shohin vendimet e OSHP-së, por edhe ato paraprake lidhur me ankesat që janë shqyrtuar.
Sipas tij, OSHP-ja është problematik si institucion dhe numri i ankesave është rritur kohëve të fundit. Zejna ka thënë se databaza e avancuar pritet të ndikojë në rritjen e kualitetit të vendimmarrjes në OSHP.
“Është organ që e ka themeluar Kuvendi dhe ne e shohim si shumë të rëndësishëm sepse ka shpejtësi në vendimmarrje. Ka një ankesë për shembull për barnat në shërbimet spitalore. Në gjykatë ky rast do të merrte shumë gjatë, ndërsa këtu 38 ditë”, ka thënë ai.
Zejna më tej ka thënë se ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka pasur iniciativë që të shuajë këtë institucion, por sipas tij kjo nuk është ide e mirë.
“Ministri në kuadër të iniciativës për reformë e propozoi shuarjen e OSHP-së për shkak të dyshimeve të larta për korrupsion. Jo se ne nuk pajtohemi se aty ka dyshime, sepse një numër i madh i bizneseve besojnë se ekziston, por ata besojnë edhe për gjykata. Ajo që dallon është efikasiteti. Po të dërgoheshin në gjykata, ndoshta do të kolapsonte sistemi për shkak të numrit të madh të ankesave, rreth 800 raste në vit. Do të rëndonte situatën në gjyqësorin në Kosovë. Zgjidhjen e shohim me ndryshimin e ligjit dhe të rritet nga 5 në 15 numri i atyre që vendosin për ankesat”, ka shtuar Zejna.
