Aktuale
Lajmi i Fundit: Deponia problematike mbetet në Harilaç

Edhe pas kundërshtimit të njëzëshëm të qytetarëve dhe vet komunës së Fushë Kosovës, që lokacioni për ndërtimin e deponisë për magazinimin e mbeturinave dhe materialeve të rrezikshme, të jetë ai në Harilaq të Fushë Kosovës, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) nuk po heq dorë.
Madje, sot është mbajtur një takim midis Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi dhe Ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ku ndër të tjera është folur edhe për lokacionin e deponisë së mbeturinave, i cili do të vazhdojë të realizohet në vendin ku është paraparë, shkruan Ndërtimi.info.
Këshilltari i Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, Valon Maliqi, për Ndërtimi.info, ka thënë se loakcioni mbetet i njejti dhe se ministri Matoshi, pati treguar se kjo deponi nuk do të paraqes rrezik për banorët, e për këtë gjë do të bëhet edhe informimi i mëtutjeshëm i qytetarëve.
Në anën tjetër zyrtari për informim në komunën e Fushë Kosovës, Ali Topalli, për Ndërtimi.info ka thënë se nuk kanë marrë asnjë njoftim me shkrim prej këtij takimi dhe se do të mbesin prapa qëndrimit të tyre, për mosndërtimin e kësaj deponie në zonën e paraparë.
“Ne nuk kemi marrë asnjë njoftim me shkrim prej këtij takimi dhe nuk jemi të njoftuar zyrtarisht për këtë gjë. Ne e kemi qëndrimin tonë, për mosndërtimin e asaj deponie në atë vend dhe qëndrojmë prapa qëndrimit tonë”, ka theksuar Topalli.
Qëndrimeve të tij pati treguar se vazhdon t’i mbetet prapa edhe aktori Jeton Zogiani, i cili ka qenë ndër banorët më të zëshëm të kundërshtimit të këtij vendimi.
“Nëse vazhdohet me idenë për ndërtimin e objektit në loakcionin e planifikuar, kemi me qenë kundër deri në frymën e fundit”, ishte shprehur Zogiani për Ndërtimi.info.
Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 29 maj kishte marrë vendim për caktimin e lokacionit për ndërtimin e objektit për ruajtjen e përkohshme të mbeturinave të rrezikshme në Kosovë.
Ky projekt i financuar nga Komisioni Evropian kap vlerën mbi 12 milionë euro.
“Lejohet lokacioni për magazinimin e mbeturinave dhe materialeve të rrezikshme në Komunën e Fushë– Kosovës, Komuna Kadastrale Harilaq me parcelat kadastrale në pronësi të Agjencisë Pyjore të Kosovës”, thuhej në vendimin e Qeverisë.
E në kërkesën për rishqyrtim të lokacionit, Kryetarit të Komunës së Fushë-Kosovës adresuar Kryeministrit Haradinaj thuhej se pranë lokacionit të paraparë për deponinë e mbeturinave gjendet një zonë turistike “Kalaja e Harilaçit” dhe Stadiumi i ardhshëm Kombëtar, të cilat ndër tjera do të ishin arsye shtesë për rishikimin e perzgjedhjes së lokacionit.
Banorët madje kishin paralajmëruar edhe protesta për ta kundërshtuar këtë ide./Ndërtimi.info/
