Prokurim Publik
Hapet tenderi për mirëmbajtjen e Kompleksit Memorial, “Kulla e Zahir Pajazitit”

Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës (AMKMK) ka shfaqur edhe një herë interesin e saj për mbrojtjen dhe menaxhimin e komplekseve memoriale. Ajo së fundmi ka hapur tenderin për Mirëmbajtjen e Kompleksit Memorial “Kulla e Zahir Pajazitit”, në Orllan të Podujevës, për ç’gjë është bërë edhe njoftimi i kontratës.
Ndonëse shuma e projektit nuk është specifikuar, në kontratë tregohet se afati i fundit për dorëzim të tenderit është data 28, mars 2019 në ora 11:00, në Rrugën “Zenel Salihu”, objekti i ish-Gjykatës Themelore të Prishtinës, kati III, zyra nr. 203, në Prishtinë.
Agjencia, e cila merret me projektimin, ndërtimin, administrimin dhe menaxhimin e komplekseve memoriale, që nga viti 2013, kur ka filluar funksionimi i saj, ka ndërtuar 16 komplekse memoriale në gjithë vendin, shkruan Ndërtimi.info.
Krahas ndërtimit, agjencia gjithashtu aktualisht ka marrë përsipër mirëmbajtjen e 6 komplekse memoriale të vendit, e që të gjitha lidhen me luftën e fundit në Kosovë, ndër to edhe Kompleksi “Kulla Zahir Pajaziti”, në Orllan të Podujevës./Ndërtimi.info/




