Prokurim Publik
Hapet tenderi mbi 867 mijë eurosh, për shtratin e lumit Krena

Transformimi i shtratit të lumit Krena, në Gjakovë, në një hapësirë më bashkëkohore e funksionale, ka qenë pikë e diskutimit për këtë komunë tash e sa kohë. E për këtë projekt Komuna e Gjakovës tashmë ka bërë edhe njoftimin për kontratë.
Vlera e përgjithshme e kontratës parashihet të jetë 867 mijë e 388 euro, teksa projekti parashihet të realizohet me procedurë të hapur, shkruan Ndërtimi.info.
Në njoftimin e kontratës theksohet që: “…të gjithë Operatorët Ekonomik që ofertojnë, qoftë individualisht, apo si grup i operatorëve ekonomik duhet të jenë të regjistruar në platformën e sistemit të e-prokurimit”, pasi që dorëzimi i tenderëve do të bëhet pikërisht tek faqja e e-prokurimit.
Afati i fundit për dorëzimin e tenderëve është 05 prill, 2019 në orën14:00:00.
Hapja e tenderit do te bëhet me 05 prill 2019, në ora14:00:00 në Rrugën UÇK (ndërtesa e ish Bankosit) Zyra e Prokurimit kati I-rë Gjakovë.
Vitin e kaluar ish-Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj së bashku me kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, patën përuruar fillimin e punimeve të rregullimit të shtratit të Lumit Krena.
Ministrja Reshitaj pati thënë se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka prioritet rregullimin dhe përmirësimin e gjendjes së lumenjve në tërë komunat e Republikës së Kosovë.
Sipas saj, rregullimi i shtratit të lumit Krena është në dobi të banorëve dhe vet komunës dhe do të ruaj florën dhe faunën si pasuri e çmuar natyrore.
Reshitaj pati vlerësuar se përmes projektit të rregullimit të shtratit të lumit Krena, komuna e Gjakovës do të përfitoj një shëtitore, që do të jetë një korridor që do të shërbejë për lëvizje të lirë për qytetarët dhe banorët e kësaj ane./Ndërtimi.info/




