Aktuale
Qeveria ia dedikon Kaçanikut 4 milionë euro për projektet kapitale

Komuna e Kaçanikut ka marrë konfirmim nga Qeveria e Kosovës se sivjet do të investojë gjithsej 3 milionë e 634 mijë e 834 euro për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, shkollore, sportive, kanalizim, ujësjellës etj.
Ndërkohë, përveç kësaj, kjo komunë nga buxheti vetjak ka planifikuar të investojë rreth 2 milionë euro në fusha të ndryshme me qëllim të përmirësimit të jetesës së qytetarëve, shkruan sot Koha Ditore.
Kryetari i kësaj komune, Besim Ilazi, ka njoftuar se Ministria e Arsimit brenda një të ardhmeje të afërt do t’i nisë dy objekte të reja shkollore me nga 1.2 milionë euro dhe finalizimin e dy objekteve të tjera me nga 600 mijë euro.
Ndërkohë Ministria e Infrastrukturës do të investojë në ndërtimin e disa rrugëve të reja në vlerë prej afro një milion euro.
“Si asnjëherë më parë, Kaçaniku ka përfituar dhjetëra projekte madhore nga niveli qendror me qëllim të përmirësimit të kushteve dhe jetesës së qytetarëve tanë. Ministria e Ambientit ka ndarë mbi 300 mijë euro për ndërtimin e kanalizimit në fshatin Strazhë dhe Ivajë, pastaj Ministria e Mirëqenies afro 200 mijë euro për banime kolektive. Po ashtu investime mjaft të mëdha tashmë janë konfirmuar edhe nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport për ndërtimin e tribunave të stadiumit, ndërtimin e sallës sportive etj. Të gjitha këto projekte tashmë janë konfirmuar nga Qeveria e Kosovës dhe nga ministritë e linjës në vlerë prej 3 milionë e 634 mijë e 834 eurosh”, ka njoftuar Ilazi.
