Aktuale
Studentët e arkitekturës me projekt ideor për Parkun e Gjakovës

Një projekt ideor nga tre studentë të arkitekturës, Elsa Kameri, Elira Hadergjonaj dhe Arlind Bakija, paraqet një hapësirë të transformuar të Parkut të Gjakovës.
Projekti i tyre, ideja e të cilit kishte qenë e përbashkët, ishte pëlqyer mjaft shumë nga profesori i tyre Nexhat Balaj. Për Ndërtimi.info, Elsa Kameri ka treguar se qëllimi kryesor në dizajnin e tyre ishte rigjallërimi i parkut dhe mbrojtja e mjedisit.
“Projekti është realizuar në bazë të analizave te lokacioni i gjendjes ekzistuese. Qëllimi kryesor ka qenë rigjallërimi i parkut dhe mbrojtja e mjedisit. Dizajnimi i parkut është bërë në atë mënyrë që ecja të mos jetë monotone, shtigjet e ecjes janë bërë në mënyre kreative që njeriu të gjejë vetë rrugën e tij për të shkuar në çdo pjesë të parkut”, tregon Kameri.

Ajo që e karakterizon këtë projekt, sipas tyre, është përdorimi i duhur i bimëve. Studentët janë munduar që të përdorin bimë të cilat i mbijetojnë çdo sezoni, në mënyrë që parku të ketë gjallëri në çdo stinë.
“Bimët janë klasifikuar sipas llojit të jetëgjatësisë dhe rritjes se tyre. Ekziston një lidhje reciproke nga ajo që quhet shëndet i njeriut dhe hapësirave të gjelbra urbane. Përdorimi i duhur i bimëve në hapësira të gjelbra urbane kanë edhe efekte mjedisore, sepse e pastrojnë ajrin nga gazrat dhe pluhurat”, shpjegon ajo.

Për këtë projekt ideor studentët kanë punuar për 16 javë rresht, gjithmonë në konsultime me profesorin e tyre. Ata gjithashtu e kanë menduar që projektin të ia paraqesin komunës së Gjakovës.


