Aktuale
Tirana bashkëpunim me bashkinë e Vjenës në fushën e transportit dhe infrastrukturës
Bashkia e Tiranës dhe ajo e Vienës po e rrisin edhe më tej bashkëpunimin mes tyre në fusha konkrete, që kanë të bëjnë me zhvillimin urban dhe menaxhimin e qyteteve.
Pas vizitës së para pak javëve të kryebashkiakut të Vienës, Michael Häupl, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti në një vizitë zyrtare një delegacion të kryesuar nga Drejtoresha e Përgjithshme e planifikimit urban, zhvillimit dhe ndërtimit të qytetit të Vienës, Brigitte Jilka, me të cilin u diskutuan çështje me rëndësi të përbashkët në fusha të ndryshme, si zhvillimi urban, çështjet e transportit, si dhe të përmirësimit të shërbimeve.
Kryebashkiaku Veliaj e vlerësoi si tepër të rëndësishëm bashkëpunimin mes dy bashkive për shkëmbimin e eksperiencave më të mira në fusha të ndryshme, e veçanërisht të ideve inovatore për menaxhimin e qyteteve.
“Unë besoj se, detyra jonë, pavarësisht se jemi qyteti më i mirë në Shqipëri, është që të bëhemi akoma më të mirë. Prej vitesh, Viena renditet si një nga qytetet më të jetueshëm në botë. Ndaj, besoj se duke bashkëpunuar me menaxherët e qytetit të Vjenës në të gjitha fushat, duke filluar nga transporti publik, te përpunimi i mbetjeve, infrastruktura, kultura, urbanistika, mund të mësojmë nga më të mirët, të sigurohemi që jo vetëm nuk bëjmë gabimet që të tjerët mund t’i kenë bërë përpara nesh, por të shijojmë idetë më inovatore për menaxhimin e Tiranës”, theksoi Veliaj.
Ai u shpreh i kënaqur që për herë të parë, pas takimit midis dy kryetarëve, tashmë skuadra e menaxherëve të qytetit të Tiranës dhe të Vienës po bashkëpunojnë edhe në nivel teknik për të trajtuar çështje të ndryshme.
“Marrëdhënia jonë me Vienën është një marrëdhënie reale, ku njerëzit që kemi në krye të punëve më të rëndësishme, të qyteteve respektive, në një farë mënyre po bashkëpunojnë për t’i bërë qytetet tona akoma edhe më të mira”, u shpreh ai.