Aktuale
Ndërron jetë arkitekti i famshëm Kevin Roche

Arkitekti i famshëm irlandezo-amerikan Kevin Roche ka ndërruar jetë në moshën 96 vjeçare duke lënë pas vetes një bagazh të madh kryeveprash arkitekturore, të cilat do të shërbejnë si model për gjeneratat e ardhshme.
Roche gjatë karrierës së tij 70 vjeçare realizoi më shumë se 200 projekte arkitekturore moderniste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jo vetëm, duke u bërë kështu emër i njohur e i dashur për shumëkënd.
Kryeverpat e tij përfshijnë Muzeun Metropolitan të Artit në New York si dhe selinë e Fondacionit Ford, misioni i të cilit është avancimi i mirëqenies njerëzore, transmeton Ndërtimi.info.
Ndër të tjera ai ka krijuar 8 muze, 38 seli institucionale dhe korporative, shtatë laboratore kërkimore, si dhe qendra të artit, teatro dhe kampuse për universitete.
Kevin Roche për punën e tij, gjatë karrierës, është nderuar me çmimet “Pritzer Architecture Prize”, në vitin 1982, medaljen e artë nga Akademia Amerikane e Arteve, në vitin 1990 dhe medaljen e artë nga Instituti Amerikan i Arkitektëve “AIA”, në vitin 1993.
Roche, FAIA ishte drejtor themelues i “Kevin Roche, John Dinkeloo and Associates”, i njohur si “Roche- Dinkeloo”, që u krijua në vitin 1966.

I lindur në vitin 1922 në Dublin, Kevin Roche u diplomua në Shkollën e Arkitekturës në Dublin, në vitin 1945. Para se të shkonte në Shtetet e Bashkuara për të studiuar tek Ludwig Mies van der Rohe, në Institutin e Teknologjisë të Illinoisit, në Çikago, në vitin 1948 arkitekti punoi për arkitektin Michael Scott në Dublin dhe arkitektin britanik Maxwell Fry, në Londër.
Në vitin 1950, pas një viti pune si anëtar i personelit në Zyrën e Planifikimit të Shtabit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Roche vazhdoi të punonte me Eero Saarinen në një zyrë të vogël, në Detroit, ku më vonë u bë bashkëpunëtor kryesor i dizajnit.
Pas vdekjes së Saarinen në vitin 1961, Roche dhe partnerët John Dinkeloo dhe Joseph Lacy përfunduan projektet e papërfunduara të firmës dhe krijuan “Roche Dinkeloo” në Hamden, “si një firmë pasardhëse e paraprakes”, sipas faqes së internetit të firmës.

“Një njeri modest dhe i mëshirshëm, ai do të kujtohet vazhdimisht për kontributin e tij në fushën e arkitekturës dhe për humanitetin e tij të madh”, u shpreh familja e arkitektit në një deklaratë të botuar në faqen e internetit të firmës “Roche Dinkeloo”.
Që nga themelimi i saj në 1966, firma “Roche Dinkeloo” ka përfunduar më shumë se 200 projekte të rëndësishme si Muzeu Oakland (1968) në Kaliforni; Muzeu Metropolitan i Artit (1967), Selia e Fondacionit Ford (1968); Qendra e Arteve të Universitetit Wesleyan (1973) në Middletown, Conn e shumë të tjerë.
Roche la pas gruan Jane Clair, pesë fëmijët e tij Eamon, Paud, Denis, Anne, Alice dhe 15 nipërit./Ndërtimi.info/




