Aktuale
Menza e ish-“Ramiz Sadikut” rihapet për t’i dhënë shije tjetër Prishtinës [foto]

“Menza e Ramiz Sadikut” është një hapësirë e cila ngjason sikur një restaurant në ndonjë lagje të thellë të Parisit. Një hapësirë që daton qysh nga viti 1960 e që për disa vite me radhë ishte veç një ndërtesë e lënë në mëshirë të fatit, e braktisur, e shkatërruar që pikonte gjithandej.
Shkruan: Agnesa Sejdiu
Në Prishtinën e sotme ka gjithçka. Diçka e re, jo gjithmonë bie në sy. Jo rrallë herë risjellja e të vjetrave në jetë, na fascinon. E tillë është kjo hapësirë shumë ftuese për të të shuar kureshtjen. Dikur menzë e punëtorëve të “Ramiz Sadikut”, sot, po e njëjta hapësirë, po bëhet nikoqire e shumë ngjarjeve, netëve muzikore, drekave e kafeve shoqërore, takimeve të të dashuruarve e shumëçka tjetër. Tani aty njerëzit do të ndajnë shumë të qeshura, do të kenë mundësi të shijojnë një menu fantastike dhe do të kënaqen me pamjet e një ambienti brutal, që ndoshta për herë të parë, të ngjallë ndjenjën e butësisë dhe qetësisë.

“Menza e Ramiz Sadikut” është lokacioni më i ri i cili i është bashkuar zinxhirit të restauranteve në kryeqytet, por padyshim, historia që bart ky vend është ndër linjat e trasha që e dallojnë atë nga “turma”.

Hapi i parë drejt një projekti në të cilin ishte punuar për katër muaj rresht, paraqet një derë e cila ngjanë me portën e ndonjë ndërtese madhështore historike, si një paralajmërim për bagazhin historik të saj. Sapo të hysh brenda përballesh më një pasqyrë të madhe në një hapësirë të ndriçuar lehtë.
Edhe pse shumë ndryshe nga gjendja e mëparshme, Gresa Sefaj, pronarja e restaurantit “Menza e Ramiz Sadikut” ka thënë për Ndërtimi.info se i gjithë ekipi janë angazhuar që të ruajnë sa më shumë nga origjinaliteti i ndërtesës.
“Ne jemi munduar që objektin ta ruajmë në formën të cilën e ka pasur, sepse objekti është marrë me qera nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, dhe ndoshta një ditë dikush vendos që ky vend të ruhet si pjesë e trashëgimisë tonë kulturore”, thotë ajo.
Muret tani paraqesin një laramani shtresash të fasadës që ishin lyer ndër vite, ato u gërryen e lëmuan dhe tani ngjajnë me piktura me ngjyra të ndryshme pastel. Synimi i të gjithëve ishte që të rikthenin në memorien e qytetarëve, menzën e dikurshme, e cila kishte shërbyer rreth 7 mijë punëtorë.

Përgjatë punimeve ata kishin hasur në një mural, autori i të cilit nuk dihet. Si murali ashtu edhe trarët ishin konservuar në mënyrë që të ruhen ashtu siç janë dhe të mos dëmtohen.
Dritaret e mëdha e të gjata sigurojnë një dritë maksimale natyrale në brendësi, abazhurët e ndryshëm që zgjaten nga tavani paraqesin një kujtim të shtëpive të dikurshme të kohës socialiste, skelet e shtuara në tavan që qëndrojnë mbi shank i thirrin trashëgimisë dhe historisë së ndërtesës.

Edhe nga ato gjëra që më nuk ishin funksionale, ekipi u munduan që t’i ripërdorin për diçka tjetër, siç është parketi tek dera, i cili ishte shumë i vjetër. Ata e ripërpunuan duke krijuar një sipërfaqe të lëmuar me të cilën krijuan banakun dhe një tavolinë të hollë e të gjatë në mes të restaurantit, skajet e të cilave u mveshën me skele të lyera në bojë ari, si një element i kohës moderne, sipas Sefajt.

Skena e cila gjendet në dizajnin origjinal të menzës së dikurshme, ishte shkatërruar, por është rikthyer sërish. Anash saj qëndrojnë perdet e plishit ngjyrë ulliri të cilat përdoren për ndarjen e zonës, të njëjtat shërbejnë edhe për mbylljen e dritareve në raste të eventeve.
Duke folur për konservimin e objektit, Sefaj tregon se disa nga elementet ka qenë e pamundur që të rikthehen në mënyrë identike, megjithatë, kishin pasur fat me kulmin e ndërtesës:
“Kulmin e kemi kthyer saktësisht siç ka qenë edhe tullat i kemi gjetur ashtu siç i ka pasur, dritaret i kemi kthyer, dritaret i kemi bërë në dimensionet e njëjta, përpara kanë qenë metalike por tash ishte e pamundur të bëhen me sistemin e vjetër, për to kemi përdorur ngjyrën e njëjtë vetëm me një sistem modern”, shpjegon Sefaj.
Objekti ka një hapësirë prej 340 metrash katrorë me plus 150 metra tarracë, ndërsa tavanet kanë një lartësi prej 5,25 metrash.
Edhe Valëza Mjeku, menaxhere në “Menza e Ramiz Sadikut” thotë se ndihet shumë mirë që tani ka rastin të punojë në një vend me një histori kaq interesante, ajo madje thotë se ka pasur rastin të takojë një nga punëtorët e atëhershëm i cili ishte ushqyer në menzë.
“Është ndjenjë e veçantë me e ditë që je duke menaxhuar shërbimin për njerëz që kanë dalë me u kënaqë, veçanërisht kur e din që aty në të kaluarën është shërbyer për ata që na ndërtuan qytetin”, u shpreh Mjeku.
Madje ajo tregon se ka pasur rastin që ta takojë personalisht një zotëri i cili ishte ushqyer aty për 20 vite me radhë dhe me plot mallëngjim ai i kishte treguar se si ka vallëzuar në skenën të cilën po ashtu tani po e shfrytëzojnë për rekreacion.
“Unë tash do të vij me shokët e mi, me hangër drekë këtu, ashti siç kemi hangër dikur”, i kishte thënë ai.
“Menza e Ramiz Sadikut” padyshim që është një pikë e re e referimit për qytetin e Prishtinës, e cila ka ngjallur mjaft interesim tek opinioni. Ajo qëndron e hapur gjashtë ditë të javës, duke ofruar ngrohtësi dhe mikpritje për të gjithë njerëzit që zgjedhin ta vizitojnë.







