Aktuale
Rahoveci do të bëhet me shesh qendror

Interesi i banorëve të Rahovecit që ky qytet të bëhet me një shesh qendror, përveç se është një dëshirë e kahmotshme e tyre, vazhdon të jetë ndër pikat kyçe të diskutimit.
E me jetësimin e kësaj dëshireje tashmë po merret Drejtoria për Urbanizëm Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit në këtë komunë, e cila ka nisur planifikimin fillestar për projektimin e sheshit, në Rahovec.
Kjo gjë është bërë e ditur nga Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Planifikimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Rahovec, Rumir Zhuniqi, i cili për projektin endërtimit të sheshit po mbështetet edhe nga Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.
“Komuna e Rahovecit mbetet ndër komunat e pakta që ende nuk ka një shesh qendror të qytetit, prandaj Drejtoria për Urbanizëm ka nisur planifikimin fillestar për projektimin e sheshit. Si drejtor i kësaj drejtorie, me përkrahjen e kryetarit të komunës, z. Smajl Latifi, tashmë kam nisur konsultat e para me ekspertë të fushës, organizatat që merren me planifikim urban si dhe grupe të tjera të interesit, për ta bashkëideuar sheshin e komunës sonë dhe kah mesi i këtij viti të shpallim Konkursin Ndërkombëtar të Projektimit.
Pjesët e qytetit që do të përfshihen në konceptimin dhe projektimin e sheshit janë stadiumi i qytetit, lokacioni ku ka qenë Eko-Regjioni, tregu javor i qytetit, parku i qytetit dhe disa hapësira të tjera komunale përreth. Do të jemi të kujdesshëm, transparent dhe të hapur ndaj të gjitha propozimeve që projektimi të jetë sa më i mirë, në mënyrë që sheshi t’i përshtatet nevojave dhe interesave të qytetarëve të komunës së Rahovecit.
Synimi ynë është që sheshi i qytetit do të jetë vendi i takimit e organizimit të shumë nismave të reja të qytetarëve të komunës sonë. Duke punuar bashkë e me përkushtim, Rahovecit do t’i japim pamje të re, ndërsa qytetarëve më shumë hapësirë e mundësi.
Sheshi është për të gjiithë, prandaj pres bashkëpunimin e secilit”, është shprehur Zhuniqi në publikimin e tij në rrjetin social “Facebook”.
