Featured
Mbi 236 mijë euro për ndërtimin e parkingut të madh të QKUK-së

Ankesave të qytetarëve për hapësirë të pamjaftueshme për parkim, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), si duket si t’iu vie fundi. Kjo për shkak se parashihet të ndërtohet parkingu për nevojat e QKUK-së. Madje, për realizimin e këtij projekti tashmë ëshë nënshkruar edhe kontrata me operatorin ekonomik.
Ndërtimi i parkingut të madh, Qendrës Klinike Universitare të Kosovës do t’i kushtojë 236 mijë e 838 euro, ndërkohë që punimet do të ekzekutohen nga kompania N.N.N “A.B.C”, e cila është shpallur fituese në mesin e 14 kompanive ofertuese për këtë projekt, shkruan Ndërtimi.info.
Tenderi me çmimin më të lartë për këtë projekt ka qenë në vlerë të 242 mijë e 931 eurosh, ndërkohë që më i ulti 236 mijë e 838 euro.
Sipas njoftimit të dhënies së kontratës, nënshkrimi i kësaj kontrateje ishte paraparë të bëhej dje.
Kujtojmë se në dhjetor të vitit 2018 ishte hapur tenderi për ndërtimin e parkingut të madh, ku sipas dosjes së tenderit fillimisht duhej të bëhej përshkrimi i pozicionit, punët e gërmimeve, transporti, punët e dheut, punët e sipërfaqeve gjelbëruese.
Po ashtu do të duhej të bëheshin edhe punët e drenazhimit si dhe paramasa për ndriçimin e parkingut.
Për projektin parashihej të bëhej edhe mobilizimi i ndërmarrjes për fillimin e punimeve si dhe rregullimi i punishtes për punë dhe largimi i të gjitha llojeve instalimeve në punishte në rast se ka në ato hapësira.
Krijimi i parkingut në QKUK është një kërkesë e kahmotshme e qytetarëve./Ndërtimi.info/


