Featured
Klinë: Hapet tenderi për asfaltimin e këtyre rrugëve

Rrugët e disa fshatrave të Klinës do të pushojnë së qenuri një problem për banorët, për shkak se ato tashmë parashihet të asfaltohen. Madje Komuna e Klinës ka bërë edhe njoftimin paraprak për hapje të tenderit për këto investime infrastrukturore.
Nga gjithsejt 443 mijë euro sa parashihet të jetë vlera e kontratës, nga ky projekt do të investohet në këto rrugë; rruga në Qeskovë (me gjatësi 1.125 m), rruga në Stup (me gjatesi 1.115 m), rruga në Siqevë, (2.374 m), në Qeskovë (3.298 m) dhe në Gjurgjevik të Vogël (3.891 m), shkruan Ndërtimi.info.
Projekti do të realizohet me procedurë të hapur teksa data e fundit për dorëzimin e tenderit është 27 mars 2019, në ora 13:00, nëpërmjet platformës së e-prokurimit, ndërkohë që nuk do të pranohen kopjet fizike të tenderit.
Kujtojmë se në mars të vitit 2018 Ministria e Infrastrukturës kishte ndarë 4 milionë euro për investime infrastrukturore, me qëllim të lidhjes dhe modernizimit të rrugëve të këtij qyteti me fshatrat përreth.
Investimi 4 milionësh parashihte asfaltimin e 5 rrugëve. Rrugën në fshatin Poterq- 400 mijë euro, rrugën në Krushevë të Madhe- 500 mijë euro, rrugën Sferkë-Perqevë- 500 mijë euro, rrugën Qupevë-Ujmirë- 900 mijë euro dhe asfaltimin e rrugës Stupë- Videjë-Zajm që kap vlerën 1.5 milion euro. Gjithashtu, parashihej të bëhej edhe asfaltimi i rrugës Klinë-Gurrakoc i Istogut në vlerë 300 mijë euro./Ndërtimi.info/








