Aktuale
Pal Lekaj jep detaje për projektet infrastrukturore në Dukagjin

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj gjatë mandatit të tij ka paralajmëruar disa projekte për rajonin e Dukagjinit, që është njëri ndër më të mëdhenjtë në Kosovë.
Rruga Kijevë-Zahaq, Ura e Balincës dhe rruga Klinë-Zallq, janë disa nga projektet të cilat qytetarët po i presin me padurim të përfundojnë.
Në një prononcim për Indeksonline, ministri Lekaj ka dhënë detaje për këto tri projekte, duke thënë se do të përfundojnë shumë shpejt.
Sa i përket rrugës Kijevë-Zahaq, Lekaj ka thënë se procedurat janë në përfundim e sipër dhe se punimet pritet të fillojnë brenda dy muajsh.
Një tjetër projekt me rëndësi po ashtu është edhe Ura e Balincës, në autostradën Prishtinë-Pejë. Për të, Lekaj ka bërë të ditur se punimet aty veçse kanë filluar.
“Punimet në urën e Balincës veçse kanë filluar këtë javë, meqë natyra e punëve që janë duke u zhvilluar nuk kërkojnë të pritet fillimi i sezonit ndërtimor. Aktualisht është duke u kryer armimi dhe betonimi i mureve mbështetëse të urës, ndërsa trarët janë përgatitur vitin e kaluar dhe presin të vendosen”, ka theksuar Lekaj.
Ai është shprehur i bindur se punimet në këtë urë do të përfundojnë në fillimin e majit.
Kurse, sa i përket projektit për rrugën Klinë-Zallq, i pari i Infrastrukturës ka bërë të ditur se varet nga kushtet atmosferike kur do të përfundoj ajo.
“Punimet në rrugën Klinë-Zallq do të fillojnë me hapjen e sezonit ndërtimor me 15 mars, respektivisht fillimi i prillit, varësisht nga kushtet atmosferike”, ka thënë tutje Lekaj
