Aktuale
Përurohet palestra “Mizahir Isma” në Rahovec

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori sot pjesë në përurimin solemn të Palestrës së Sporteve “Mizahir Isma”, në Rahovec.
Me këtë rast, kryeministri uroi komunën e Rahovecit për Palestrën e Sporteve, por edhe për emrin e kësaj Palestre që mban emrin e dëshmorit Mizahir Isma.
“Sot e gjithë Kosova është gëzuar që po e nderoni një dëshmor”, tha Haradinaj.
Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri po ashtu falënderoi dhe uroi ministrin e Kulturës, Kujtim Gashi për këtë Palestër që siç tha ai i erdhi edhe dita të përfundojë, por njëkohësisht uroi edhe kryetarin e kësaj komune, Smajl Latifi.
Ndër tjerash, duke kujtuar vërshimet në këtë Komunë, Haradinaj po ashtu i siguroi qytetarët e Rahovecit se do të paguhen dëmet e vërshimeve dhe breshërit.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, tha se është kënaqësi e veçantë për të sot që të merr pjesë në ceremoninë e festimit të njërës prej Palestrave më të bukura në Republikën e Kosovës, e cila siç tha ai ka kushtuar hiç më pak se tre milionë euro.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, theksoi se sot ndihet shumë me fat që gjendej në mesin e të gjithë atyre qytetarëve për ta hapur Palestrën e Sporteve “ Mizahir Isma”, duke u shprehur i sigurt se kjo palestër do të shënojë historinë me shumë suksese të tjera.
Para të pranishmëve foli edhe djali i dëshmorit Mizahir Isma, Jetullah Isma, i cili tha se sot është shumë i lumtur që kjo palestër ka marrë emrin e babait të tij, duke thënë se kjo do të jetë një mburrje për të gjithë.
“Edhe babai im do të ishte krenar me ndërtimin e këtij objekti”, tha ai.
