Featured
Njihuni me Lulin, mjeshtri i varkave që gjeti Amerikën në Ersekë
Jeton shumë larg detit, por e lidh diçka e fortë me të. Nuk e gjen, as në Sarandë, Vlorë, Durrës apo Shkodër, por aty mund të takosh punën e tij. Mjeshtri i ndërtimit të varkave prej druri, Flamur Bilo jeton në Ersekën e vogël, ku jo det që nuk ka, po edhe për ujin, hapin puse.
Në të gjithë Shqipërinë nuk gjen si ai. Nuk ka tjetër ndërtues varkash si Flamuri. Nuk gjen mjeshtër që e punon aq mirë drurin dhe njeh cilësitë e tij. Flamuri njeri i gjithanshëm, krijon në dru, i bie kitarës, koleksionon objekte. Fjalët i ka të pakta dhe nuk i pëlqen të lavdërojë punët e shumta. “Veprat e tregojnë të vërtetën më mirë se fjalët”, thotë ai për Dritare.net
Por teksa rrëfen jetën, eksperiencën e gjatë ndër vite, mahnitesh nga pasioni, kreativiteti dhe dashuria për të sjellë gjëra të reja. Si pjesë e një familjeje zejtarësh, zanatin e trashëgoi nga paraardhësit dhe me shumë dëshirë ua përcjell fëmijëve.
“Babai im bënte shumë profesione, përfshirë edhe gjuhëtarinë. Eksploronte dhe kërkonte më shumë nga koha dhe nga përshtatja me rrethanat. Ka qenë marangoz i shkëlqyer. E kemi trashëguar prej tij punën me drurin. Ne e perfeksionuam dhe zhvilluam më tej”, tregon Luli, siç e thërrasin të njohurit, teksa shton me të qeshur se duhet ta thërrisnin Muli, jo Luli, sepse nuk është Lulzim.
Pasioni i lindur për të ndërtuar varka
Babai i mësoi shumë, por jo ndërtimin e varkave. Zoti e bekoi me një talent të veçantë. Nuk ka pasur nevojë as për specializime e studime universitare. Duke qenë i vetmi në Shqipëri, nuk ka pasur as kolegë për shkëmbime idesh, materialesh apo përvojash.
“Ndërtimin e varkave e kam aftësi profesionale të lindur. Njoh mirë ligjet e fizikës dhe matematikën. Thembra është që një projekt i zbatuar duhet të jetë i qëndrueshëm”.
E ka nisur punën bashkë me nipin e tij që jeton në Itali. Ai i sillte projekte, ndërsa Flamuri i ndërtonte. “Në fillim krijova zjarrin, e pastaj shkëndijat”. Kështu e quan ai anijen me vela prej 10 metrash, ndërtuar prej druri. Gjendet në magazinën e tij dhe pret të lundrojë krenare. Është vepër e shumë viteve punë, lodhje, kohë dhe shpenzime, prandaj ka vendosur të mos e shesë.
Ka ndërtuar shumë varka më të vogla, të porositura nga njerëz të ndryshëm.
“Prodhojmë pak dhe vetëm me porosi. Kapaciteti i varkave tona është për lundrim afër bregut. Çdo mjet ka cilësi të veçanta, për të qenë i qëndrueshëm dhe hidrodinamik. Nuk është e thjeshtë të ndërtosh varka nëse nuk ke një grup ekspertësh”, thotë ai për Dritare.net.
Flamuri tregon se nuk ka një linjë prodhimi, për shkak të boshllëqeve në legjislacionin shqiptar. Aksesorët që përdor për varkat i kushtojnë shumë për shkak të transportit, ndërsa tregu ende i parregulluar, mbizotërohet nga varkat prej rezinë që vijnë nga jashtë. Ai ka treguar deri tani se di të prodhojë, por në të ardhmen premton më shumë.
“Kjo ka qenë pengesë për ne për të pasur kapacitet ndërtues dhe marketing më të madh. Ambicia jonë në të ardhmen është që të dalim në treg. Tregu për mjete lundruese në Shqipëri është bosh dhe për hir të së vërtetës, ne po sjellim një formë ndërtimi. Në Shqipëri nuk ka varka druri. Më kanë treguar se edhe në Greqi, ka shumë pak njerëz që bëjnë këtë që bëj unë. Sot varkat ndërtohen me plastikë, makineri dhe infrastrukturë më të zhvilluar, ndërsa unë parapëlqej drurin e pishës”.
Shtëpia e parë prej druri në Kolonjë
Gjithçka në pronën e tij është prej druri. Këtë copë tokë ai e ka blerë pas ’90, dhe ka krijuar një perandori të vogël që e transformon dita- ditës. E pozicionuar afër rrugës kryesore, taverna, shtëpia dhe magazina e tij, mirëpresin çdo njeri që shkon në këtë qytet. Që në hyrje, flamuri shqiptar dhe ai amerikan valëviten përballë njëri- tjetrit. Ai tregon se nuk ka asnjë lidhje me Amerikën, as dëshirë për t’u larguar. Ndoshta është i vetmi juglindor që nuk e ka provuar fatin me lotarinë amerikane. Fati i tij është në Ersekë.
Nuk është vetëm ndërtues varkash. Flamuri është i pari në Kolonjë që ka krijuar një ndërtesë dykatëshe prej druri. Duket si një shtëpi e vogël alpine, por është një tavernë e ngrohtë, e veçantë, e ndriçuar më së miri. Brenda mban një pasuri të tërë punimesh druri, varkash, kitarash, kostumesh popullore dhe objektesh të koleksionuara. Ndërsa katin e dytë, familja e përdor për të banuar.
“Taverna është 100% e ndërtuar prej meje dhe familjes. Projektin e restorantit e kam bërë vetë. Kështu e kam konceptuar. Kur fillova, si të gjithë ata që ndërtojnë, kisha nevojë për arkitekt apo inxhinierë ndërtimi. Nuk gjeta. Kur u kam thënë miqve të mi se do të bëja një lokal prej dykatësh prej druri, u është dukur e pabesueshme. Mua nuk mu duk e rrezikshme, pasi e njoh mirë fizikën. Është struktura më e bukur që ekziston”.
Dashuria dhe disiplina
Pas një burri të suksesshëm, qëndron gjithmonë një grua e fortë dhe një familje e bashkuar. Cili është sekreti? “Vetëm disiplinë”, thotë Flamuri. Ndërsa Brunilda, bashkëshortja e Flamurit tregon se për ta, familja është gjithçka.
Ajo është një kolonjare e vërtetë, në shpirt dhe në punë. E kujdesshme, e dashur, amvisa më e mirë dhe bashkëpunëtorja që të gjithë do të donin.
Na tregon se taverna ka qenë ëndrra e Flamurit, por me kalimin e kohës u dashuruan si familje. E ndërtuan para 10 vjetësh dhe tani punojnë të gjithë.
Në tavernën “Flamur” preferohet ushqimi tradicional, të cilin e gatuan vetë e zonja. Teksa turistët janë të pavendosur se çfarë të marrin, vendalinjtë nuk kanë pikë dyshimi se aty gjenden ushqimet më shijshme dhe të shëndetshme.
“Gatuaj nga të gjitha ushqimet, zogjtë e fshatit i bëjmë në mënyra të ndryshme. Bëjmë lakror në saç. Gatuajmë mishrat e të gjitha llojeve, kec, shqerrë, viç, mish i egër. Përdorim sallaturinat, specat me salcë që i kemi traditë. Nuk mungojnë zajretë e dimrit, tërhanatë dhe roshnicat”.
Dora e saj prej nikoqireje gjendet kudo. Oborri duket si një parajsë e vogël. I mbështjellë nga gjelbërimi dhe i mbushur me lule të shumëllojshme, teksa lepujt, rosat apo pulat enden mes tij.
“Lulet janë pjesë e jetës sime, pa to nuk jetoj dot. Kam pasion kopshtin dhe kafshët”, tregon Brunilda për Dritare.net.
Familja e tyre ka projekte të shumta në të ardhmen, për restorantin, varkat, shkollimin e fëmijëve. E kanë provuar largimin drejt Tiranës për 4 vjet dhe janë rikthyer sërish në tokën e tyre.
“S’kemi ndërmend të lëvizim, do të rrimë në kështjellën tonë. Jetojmë më të qetë, më të sigurtë sepse jemi në tokën tonë”, thotë Flamuri.