Connect with us

Aktuale

Shkollat fantazmë të Kosovës

Published

on

Objektet e arsimit të planifikuara dobët tash gati të hapura

Skaj një rruge që lidh disa fshatra të komunës së Gjakovës afër aeroportit, mezi mund të shihet një ndërtesë e madhe në dukje moderne, por e harruar dhe pjesërisht e mbuluar me vegjetacion. Rrugica që të çon deri te ndërtesa e bardhë dy-katëshe është krejtësisht e mbuluar me bar, dhe për të kaluar nëpër të duhet të duhen shkathtësi të mjaftueshme për t’iu shmangur gërvishtjeve nga barishtet me gjatësi sa të njeriut që e kanë gllabëruar shtegun.

E ndërtuar pak metra nga rruga kryesore që lidh fshatrat Janosh dhe Sopot me Novosellën e Poshtme dhe Trakaniqin, ndërtesa të lë përshtypjen e një shkolle relativisht të vogël, por të freskët — me dhoma me hapësirë të bollshme e dritare të mëdha. Pikërisht ky kishte qenë qëllimi për këtë shkollë, kur ishte ndërtuar më 2004.

Një të mërkure pasdite të tetorit, disa nxënës po ecnin me çanta në shpinë nëpër një rrugë të asfaltuar, shumica prej tyre duke mos qenë në dijeni që afër fshatrave të tyre vite më parë ishte ndërtuar një shkollë, në të cilën ata nuk kanë mbajtur ndonjëherë mësim. Objekti qëndron i braktisur krejtësisht për një dekadë e gjysmë, dhe sot është pjesërisht i shkatërruar.

Disa prej fëmijëve që jetojnë në Janosh thonë se janë mësuar të ecin me çanta të rënda çdo ditë nga dy kilometra për të shkuar në shkollën Engjëll Gjoni në Novosellën e Poshtme, ku mbajnë mësim edhe fëmijët nga Sopoti dhe Trakaniqi — fshatra nga tri kilometra larg.

Shkolla në Novosellën e Poshtme është e vjetër. Nga stafi kujdestar thonë se u ndërtua më 1983 dhe tani ka më pak se 200 nxënës, shenjë e ndryshimeve demografike dhe largimit të banorëve nga zonat rurale në dy dekadat e fundit. Ata dhe banorë tjerë të gjeneratave më të vjetra në Novosellë janë të vetëdijshëm se është një shkollë në Janosh, por nuk e dinë pse nxënësit nuk mbajtën kurrë mësim në të.

Edhe Komuna e Gjakovës dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) nuk kanë qenë në gjendje të japin detaje konkrete për atë se çfarë ndodhi me shkollën e Janoshit.

Në tetor të vitit 2018, K2.0 kishte dërguar disa kërkesa zyrtare për qasje në dokumente publike në përpjekje për të gjetur detaje që lidhen me planifikimin dhe ndërtimin e objektit. Ligji për Qasje në Dokumente Publike i obligon institucionet publike t’u përgjigjen kërkesave të tilla brenda shtatë ditësh, por Ministria e Arsimit nuk dha asnjë përgjigje.

Ndërkohë, Kastriot Shehdadi, zyrtar i informimit i cili merret me qasjen në dokumente publike në Komunën e Gjakovës, tha për K2.0 se Komuna nuk posedon dokumente për ndërtimin e shkollës në Janosh dhe citoi njërregullore të publikuar në vitin 2015 nga Ministria e Administratës Publike, që thotë se afati kohor për mbajtjen e dokumenteve publike është shtatë vjet për dokumente të prokurimit dhe 10 vjet për dosje të tendereve, akte administrative dhe kontrata.

Pa dokumentet e duhura, llogaridhënia për një projekt të madh të dështuar si ky është vështirë të kërkohet, veçanërisht pasi që shumë prej zyrtarëve publik nga ajo kohë kanë dalë në pension.

Kryetari aktual i Asamblesë Komunale të Gjakovës, Anton Berisha — i cili ishte drejtor i arsimit në Gjakovë nga viti 2008 deri më 2010 — thotë se shkolla u ndërtua nga MAShT-i, por drejtori aktual i arsimit në Gjakovë, Bernard Frrokaj, thotë se kujton që objekti ishte ndërtuar me financa të kombinuara në mes të Komunës dhe donacioneve nga jashtë vendit.

Megjithatë, të dy zyrtarët vënë theksin te rënia e numrit të popullsisë në zonat rurale si justifikim për mospërdorimin e objektit, duke thënë se numri i nxënësve në këtë zonë kishte rënë në mënyrë “dramatike” në periudhën e pasluftës.

“NUK E DI ME ÇFARË PARAMETRI ËSHTË MARRË VENDIMI PËR NDËRTIM TË SHKOLLËS”, thaa Bernard Frrokaj, drejtor i arsimit në Gjakovë .

Fadile Dyla, drejtore e Departamentit të Infrastrukturës në MAShT, thotë se një fenomen i rënies së numrit të popullsisë është shfaqur shumë në zonat rurale anembanë Kosovës, duke krijuar një sfidë të madhe për procesin e rindërtimit në periudhën e pasluftës.

“Pas luftës, gjendja e objekteve të arsimit nuk ishte e mirë për shkak të shkatërrimit dhe djegies”, thotë ajo, duke iu referuar faktit se shumë objekte të arsimit u shkatërruan nga forcat serbe. “Fondet e jashtme hynë në vendin tonë me qëllim për ta rregulluar këtë situatë dhe idea ishte të ndërtohen shkolla që do t’u shërbenin fëmijëve që jetonin në këto vendbanime para luftës. Por, pas luftës, në shumë raste banorët nuk u kthyen më në vendbanimet e tyre dhe kjo solli edhe mbipopullimin në zonat urbane”.

Ndryshimet demografike dhe mungesa e planifikimit adekuat urban për vendndërtimin e tyre, bëri që shkollat në vendet rurale si ajo në Janosh të mbesin të zbrazëta, ndërsa plot shkolla nëpër qytetet e Kosovës të operojnë me tri ndërrime dhe me orë të shkurtuara të mësimdhënies, thjeshtë për ta akomoduar numrin e madh të nxënësve. “Gati në çdo qytet e kemi këtë problem me shkolla të mbipopulluara”, thotë Dyla.

Frrokaj thotë se për shkak të ndryshimeve demografike në zonën rreth Janoshit, nuk kishte fare nevojë që të ndërtohej një shkollë e re aty.

“Sigurisht në atë kohë nuk kanë bërë studim të fizibilitetit për të parë nëse kishte nevojë për një shkollë të re”, thotë ai. “Po të ishte kryer një studim i tillë, shkolla nuk do të ishte ndërtuar. Nuk e di me çfarë parametri është marrë vendimi për ndërtim të shkollës”, thotë Frrokaj.

Planifikimi i dobët

Mungesa e planifikimit infrastrukturor është evidente anembanë Kosovës.

Ndërtimi i shkollave të reja në Kosovë është përcjellë me dyshime për parregullsi dhe mungesë të planifikimit efektiv, ndërkohë që ekspertët thonë që rastet si ai i shkollës së braktisur në Janosh nuk janë anomali të izoluara.

Sipas Strategjisë aktuale të Arsimit në Kosovë për periudhën 2017-2021, MAShT-i parashesh të shpenzojë rreth 50 milionë euro për ndërtimin e 25 shkollave të reja fillore dhe të mesme dhe 18 çerdheve të reja parashkollore. Ministria thotë se ky numër i shkollave është i mjaftueshëm për të mundësuar që një e treta e nxënësve të mbajnë mësim në një ndërrim.

Strategjia thotë se “identifikimi i lokacioneve për ndërtimin e shkollave të reja do të bazohet në analizën e hartës së shkollave (plani i investimeve), sipas normave dhe standardeve të aplikueshme dhe ndryshimeve të pritura demografike”. Por, zyra e informimit në Ministrinë e Arsimit ka thënë për K2.0 që ky dokument ende është duke u finalizuar në një projekt në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe se nuk është ende në dispozicion.

Pasi që numri i shkollave të reja me sa duket është vendosur para se të identifikohen lokacionet për ndërtimin e tyre, është e paqartë se deri në çfarë mase merren parasysh ndryshimet demografike gjatë përpilimit të planeve investive.

Në një diskutim me tryezë të rrumbullakët që u organizua së fundmi nga partia opozitare Vetëvendosje, Dukagjin Pupovci i Qendrës për Arsim të Kosovës deklaroi se numri i nxënësve të angazhuar në arsim parauniversitar në Kosovë ka rënë për 90,000 në dekadën e fundit. Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe nga MAShT-i, 284,044 nxënës vijojnë mësimin në 954 shkolla fillore në 2018, ndërsa 91,345 nxënës vijojnë mësimin në 122 shkolla të mesme.

Halim Hyseni, ekspert me shumë vite përvojë në arsim, që më parë kishte qenë profesor dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, tani anëtar i bordit në Qendrën për Arsim të Kosovës, thotë se procesi i ndërtimit të objekteve shkollore është karakterizuar me shumë parregullsi prej fundit të luftës.

“KORRUPSIONI I KA NGRËNË SALLAT E EDUKIMIT FIZIK, KABINETET DHE OBJEKTET TJERA NDIHMËSE”, thotë Halim Hyseni, ekspert i arsimit

Ndërtimi dhe planifikimi i ndërtesave të reja të arsimit gjithmonë ka qenë pjesë e rëndësishme e fushatave dhe premtimeve të politikanëve para zgjedhjeve, veçanërisht për vendbanimet rurale ku shkollat dhe ndërtesat e tjera administrative përbëjnë një pjesë integrale të investimeve qeveritare.

Fushata e fundit e zgjedhjeve të përgjithshme ishte vazhdimësi e këtij trendi. PDK dhe AAK — dy parti që formuan boshtin e koalicionit qeverisës —premtuan investime të rëndësishme në infrastrukturën e arsimit. Zyrtarët e AAK-së shpeshherë kanë thënë që infrastruktura e Kosovës ka mungesë të hapësirës së domosdoshme, ndërsa zyrtarët e PDK-së vazhdimisht kanë deklaruar që investimet në shkolla do të hynin në një “fazë të re”, por nuk dhanë më shumë shpjegime se si do të realizohej kjo në praktikë.

Përgjatë viteve, perceptimi publik ka qenë që politikanët e kanë përdorur sistemin e arsimit dhe shkollat për qëllime politike gjatë proceseve zgjedhore, ndërsa pas zgjedhjeve, investimet shpeshherë janë përqendruar në zona në të cilat partitë e zgjedhura kanë fituar mbështetje të madhe politike, duke formuar kështu një lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet votave dhe investimeve publike.

Hyseni vlerëson se në të kaluarën kishte plot shembuj të abuzimit dhe shpërdorimit të pushtetit në projekte të ndërtimit të objekteve të reja, që lidheshin me interesa të ndryshme politike të atyre që i marrin vendimet në sektorin e arsimit.

“Korrupsioni i ka lënë objektet e ndërtuara me mangësi, larg standardeve të shekullit 21”, thotë Hyseni. “Kjo ka ndodhur në Ferizaj, Istog, Drenas dhe plot komuna të tjera. Korrupsioni i ka ngrënë sallat e edukimit fizik, kabinetet dhe objektet e tjera ndihmëse”.

‘Nuk më duhen tullat nëse nuk kam nxënës’

Edhe kur nuk vihet në dyshim kualiteti i ndërtesave të reja arsimore, mungesa e planifikimit afatgjatë në procesin e planifikimit prapëseprapë mund të çojë deri në një situatë ku objektet e reja nuk i përmbushin kërkesat për zhvillimin e mirëfilltë edukativo-arsimor të nxënësve.

Para pesë vitesh, Shkolla e Mesme e Agrobiznesit në Gjilan e hapi një kampus të ri në lagjen Arbëria të këtij qyteti. E vendosur në një parcelë prej 35 hektarësh, tre kilometra nga qendra e qytetit, Shkolla Arbëria vlerësohet si një nga objektet më të mira në rajon për trajnim profesional në degën e bujqësisë. Objekti e ka edhe një laborator agrokimik.

Megjithatë, në shkurt të vitit 2017, më pak se tre vjet pasi ishte hapur shkolla, drejtori i arsimit në Gjilan mori vendimin t’i zhvendosë orët mësimore teorike në kampusin e Shkollës së Mesme Teknike ‘Mehmet Isai’ në qendër të Gjilanit; tani nxënësit mbajnë vetëm orë praktike në kampusin e Arbërisë.

Në atë kohë, zyrtarët në Drejtorinë e Arsimit në Gjilan kishin deklaruar se kjo lëvizje ishte e përkohshme, por me sa duket ende nuk ka ndonjë plan të qartë se çfarë do të bëhet në të ardhmen me objektin, ndërkohë që banorët lokalë thonë që objekti së shpejti mund të fillojë të përdoret për funksione të tjera.

Drejtori i shkollës së bujqësisë, Xhelal Jetishi, thotë se mungesa e sigurisë në lokacionin e ri kontribuoi në një rënie drastike të numrit të nxënësve, duke i detyruar ata t’i zhvendosin orët mësimore të mësimit teorik në një lokacion tjetër. “500-600 nxënës u zhvendosën në objektin e ri, por [deri më 2017] mbetën vetëm 170 — në vitin e fundit i kishim vetëm 40 nxënës që e përfunduan shkollën e mesme”, thotë Jetishi, duke shtuar se një vit pas kthimit të orëve teorike në qendër të qytetit, numri i studentëve u rrit në 249.

“NË LOKACIONIN E SHKOLLËS SË RE NUK KA ASNJË KAFITERI APO DYQAN KU NXËNËSIT MUND TË SHËRBEHEN, GJATË PUSHIMEVE MES ORËVE NXËNËSIT ISHIN TË DETYRUAR TË QËNDROJNË BRENDA OBJEKTIT DHE KJO NDIKON NË EDUKIMIN E TYRE SOCIAL”, tha Xhelal Jetishi, drejtor i shkollës.

Shtimi i numrit të nxënësve të bujqësisë bëri që kohëzgjatja e orëve mësimore në Shkollën e Mesme Teknike, ku është bartur procesi mësimor teorik, të reduktohej nga 40 në 35 minuta. Megjithëkëtë, Drejtoria e Arsimit në Gjilan e justifikoi vendimin duke thënë që në kampusin Arbëria nuk kishte siguri të mjaftueshme, si dhe faktin që nxënësve nuk u pëlqen të mbajnë mësim jashtë qytetit.

Jetishi e ilustron mungesën e sigurisë në Arbëri me një incident që ndodhi në shkurt të vitit 2017, kur një nxënës bashkë me prindin ei tij i sulmuan mësuesit e shkollës me sëpatë. Ky incident, që u konfirmua nga policia në atë kohë, erdhi pas një zënke ndërmjet nxënësit dhe mësuesve, që eskaloi në konflikt fizik. Disa minuta më vonë, nxënësi u kthye në shkollë me një sëpatë, i shoqëruar nga babai i tij. Të dy sulmuan dy mësues të cilët ishin kujdestarë atë ditë, duke u shkaktuar lëndime.

“Në kampusin [në qendër të qytetit] ku kemi qenë të vendosur në 18 muajt e fundit nuk kemi pasë asnjë incident”, thotë Jetishi. “Në lokacionin e shkollës së re nuk ka asnjë kafiteri apo dyqan ku nxënësit mund të shërbehen dhe gjatë pushimeve mes orëve nxënësit ishin të detyruar të qëndrojnë brenda objektit, e kjo ndikon në edukimin e tyre social”.

Problematike dolën të jenë edhe distanca nga qendra e qytetit dhe mungesa e transportit për në lokacionin e ri, pasi që në Gjilan nuk ka transport urban.

Më 2009, në ceremoninë e hapjes së ndërtesës së parë të rinovuar në lokacionin Arbëria, drejtori i atëhershëm i arsimit në Gjilan, Ismajl Kurteshi, kishte thënë që Komuna do të ofronte transport për nxënësit nga qyteti deri te shkolla e bujqësisë. Fillimisht, Komuna e pagoi transportin e nxënësve me autobus nga qyteti deri në shkollë, por shumë shpejt ky projekt ishte ndalur; zyrtarët e arsimit në qytet aludojnë se kjo ndodhi për shkak të kombinimit të kostos së lartë në vlerë dhjetëra mijëra euro në vit dhe reduktimit të numrit të nxënësve.

Jetishi shpreh frustrim kur pyetet për lokacionin e zgjedhur për shkollën e re të bujqësisë, duke thënë se objekti mund të ishte ndërtuar brenda kampusit të shkollës së mesme në qendër të qytetit, ku janë të gjitha shkollat e mesme të Gjilanit. “Nuk më duhen tullat nëse nuk kam nxënës”, thotë ai.

Si në rastin e shkollës së braktisur në Janosh, zbardhja e historisë së vendimit dhe procesit të ndërtimit të kampusit të ri në lagjen Arbëria jashtë qendrës së qytetit të Gjilanit nuk është i lehtë, pavarësisht faktit se është ndërtuar më vonë.

Duke përdorur Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, K2.0 dërgoi disa kërkesa për qasje në dokumente në Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Gjilanit — dhe u takua dy herë me zyrtarë brenda Drejtorisë — por nuk mori asnjë informatë të kërkuar në lidhje me ndërtimin e kampusit. Drejtori i arsimit në këtë Komunë, Nazim Gagica, refuzoi të komentonte për këtë çështje, duke thënë se Drejtoria nuk do të jepte më shumë informata se ato që i ka dhënë drejtori i shkollës.

Dihet se lokacioni në të cilin gjendet kampusi i shkollës ishte shfrytëzuar më parë nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK), që nisën ndërtimin e ndërtesave që më pas u konvertuan për t’u përdorur për qëllime arsimore. Kur më 2009 TMK-ja u transformua në Forcën e Sigurisë të Kosovës (FSK), ndërtesa ishte ende e papërfunduar dhe FSK-ja vendosi se nuk kishte më nevojë për këtë objekt.

Më 2009, Agjencia Daneze për Zhvillim Ndërkombëtar (Danida) siguroi financim për një laborator me vlerë prej 30,000 eurosh në këtë lokacion. Laboratori u mundësoi nxënësve të Shkollës së Mesme të Agrobiznesit të kryenin punë praktike.

Më vonë gjatë vitit, Komuna e Gjilanit, bashkë me MAShT-in, kërkoi më shumë mbështetje financiare nga Danida, për t’i përfunduar objektet që do të përdoreshin për t’u shërbyer studentëve që kishin vendosur të shkolloheshin dhe tu nënshtroheshin trajnimeve profesionale parauniversitare të bujqësisë.

Lotte Mindedal nga Ministria e Jashtme e Danimarkës thotë se Danida kontribuoi me rreth 670,000 euro për këtë projekt, i cili ishte i titulluar “Mbështetje Për Zhvillimin e Bujqësisë në Komunën e Gjilanit”.

“Pasi FSK-ja e la objektin të papërfunduar, Komuna e Gjilanit kërkoi ndihmë për ta përfunduar ndërtimin me objektivin për ta transformuar atë në një shkollë bujqësore”, thotë Mindedal. “Kjo ishte në përputhje me interesat e Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Bujqësisë në Kosovë”.

Mindedal thotë se periudha kohore që ishte paraparë fillimisht ishte 18 muaj, deri në dhjetor të vitit 2011, por zbatimi i projektit u shty për dy vjet, deri në dhjetor të vitit 2013; kur edhe kishin përfunduar punimet, ndërkohë që ndërtesa iu dorëzua Komunës në prill të vitit 2014.

Investimi danez siguroi ndërtimin dhe instalimin e rrjetit të ujësjellësit si dhe mobilimin; shkolla e kompletuar ka një objekt kryesor me klasa të pajisura mirë, si dhe një ndërtesë më të vogël plotësuese në të cilën është i vendosur laboratori.

Por, përderisa ndërtimi i objekteve të reja shkollore si Shkolla Arbëria në periferi të Gjilanit vazhdon të jetë pikë kyçe e fokusit të investimeve qeveritare në arsimin e Kosovës, është e paqartë nëse qeveria ka arritur të mësojë diçka nga gabimet e së kaluarës

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending