Aktuale
Rijetësimi ilir në çdo shtëpi shqiptare, nga pjatat e argjilës së Agata Çettas

Artistja Agata Çetta hulumtuar një thesar të vërtetë. Ajo ka krijuar nja koleksion të veçantë të pjatave të argjilës për të cilat ajo është inspiruar nga disa artefakte më unike, dhe i ka shfaqur në ekspozitën të cilën e ka quajtur “Rijetësimi ilir”, në përpjekje që të rijetësoj shpirtin ilir në çdo shtëpi shqiptare kudo që do të hyjnë këto vepra arti.
Artefaktet e gjetura në lokalitetet arkeologjike, që datojnë qysh prej periudhës parahistorike e që shtrihen përgjatë tërë territorit të Republikës së Kosovës, janë dëshmi e trashëgimisë sonë kulturore shumë të pasur.
Ato janë udhërrëfyes të mënyrës së jetesës, zakoneve, besimeve e riteve fetare, zhvillimit të banorëve të periudhave të ndryshme kohore, pra të Ilirëve/Dardanëve dhe pasardhësve të tyre, e që janë shqiptarët e sotëm.
Hulumtimet e para arkeologjike në trevën e Kosovës kanë filluar në formë më të zbehtë rreth viteve të ’30-ta të shek. 20, ndërsa janë intensifikuar rreth viteve ’50, ’60, ’70 e ’80 kur edhe janë zbuluar lokalitetet më të rëndësishme arkeologjike Novo Bërda, Ulpiana, Tjerrtorja, Glladnica, Hisari, Fafosi, e shumë e shumë të tjera.
Koleksionet arkeologjike të Kosovës në atë kohë u pasuruan sidomos nga kampanjat për ngritje të vetëdijes të popullatës, gërmimet arkeologjike, si dhe nga themelimi i Muzeut të Kosovës më 1949.
Intensiteti i hulumtimeve arkeologjike gjatë periudhës 1980-2000 kishte rënë pothuajse tërësisht, për shkak të politikës së pushtetit të asokohshëm.
Gjatë luftës së fundit të vitit 1999 në Kosovë, 1246 eksponate nga koleksionet e arkeologjisë dhe etnografisë të Muzeut të Kosovës, janë marrë në Serbi dhe ende nuk janë kthyer në vendin e tyre të origjinës.
Pas luftës së Kosovës, si dhe me funksionalizimin e Institutit Arkeologjik të Kosovës më 2002, fillon një periudhë e re e hulumtimit arkeologjik, sidomos në fushën e gërmimeve me karakter shpëtimi, të financuara çdo vit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Arkeologjia është urë e cila lidhë të kaluarën me të sotmen, ajo së bashku me gjuhën shqipe janë elementet më të fuqishme për krijimin e identitetit tonë kombëtar si dhe dëshmimin e rrënjëve tona.
Përmbledhje e të dhënave të publikuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Merita Augustini Nrecaj.





