Aktuale
Hoxhaj i tronditur nga vdekja e 22 vjeçarit në vendin e punës

Iu dha lamtumira e fundit 22 vjeçarit, Krenar Jemini, nga Mushtishti i Suharekës, që vdiq dje në vendin e punës, teksa po punonte në fabrikën e vajrave “Lab-Oil”. Për vdekjen e 22 vjeçarit pati reagime të qytetarëve. Por, i tronditur nga rasti tragjik i Jeminit, ka mbetur edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherish edhe nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhajt.
Hoxhaj ka ngushëlluar familjarët për rastin, njëherish edhe ka premtuar se Qeveria e Kosovës së shpejti do të ndërmarr hapa konkret për shtimin e sigurisë në vendin e punës.
“Thellësisht i tronditur nga lajmi për vdekjen tragjike në vendin e punës të të riut Krenar Jemini, nga fshati Mushtisht i Komunës së Therandës. Krenari ka qenë një djalë shembullor dhe aktivist i përkushtuar i PDK-së në nëndegën e Mushtishtit. Ngushëllime familjes Jemini, miqve dhe kolegëve. Si Qeveri e Kosovës e kemi prioritet dhe shumë shpejtë do të dalim me hapa konkretë në mënyrë që të rritet siguria në vendin e punës”, është shprehur zëvendëskryeministri përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.
Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi sot ka qenë në vendin e ngjarjes për të parë për së afërmi vendn ku mbeti i dekur 22 vjecari, por nuk është lejuar të hyjë brenda.
Edhe pse Ibrahimi ishte treguar më këmbëngulës që të hyjë brenda për të verifikuar se a gjendet dikush brenda apo diçka tjetër.
“Ne kemi shku sot, ama pronarët kanë qenë në varrim edhe ne kemi shku natyrisht, unë kam kërkuar me hy aty por aty ka qenë vetëm sigurimi dhe ka qenë e mbyllur dhe ata kanë qenë në varrim. Unë jam sjellë qashtu qysh jam sjellë pak në mënyrë ma kategorike për arsye që me verifiku që ka qenë brenda ose diçka tjetër. Por ata kanë shkuar e që është në natyrën edhe njerëzore edhe me tradita tona me i shku njërit në varrim”, tregon Ibrahimi.
Sipas rregullave, Ibrahimi thotë se në rast të inspektimeve, inspektori duhet të jetë i shoqëruar nga punëdhënësi apo ndokush i autorizuar.
“Me ligj të inspektoratit, kur shkojnë inspektorët në inspektim , punëdhënësi ose vetë punëdhënësi, apo një person i autorizuar e shoqëron me inspektu vendin e ngjarjes. Mirëpo aty nuk ka qenë askush, ka qenë vetëm një punëtor i sigurimit i cili nuk është punëtor i “Lab-Oil””, shpjegon Ibrahimi.
Ndërkohë, që ende nuk është arritur që të zbardhen detaje tjera se si ka rrjedh ngjarja që mori jetën e të riut.
“Ne nuk kemi pas mundësi me u marrë më shumë. Sepse dje ka ndodhë dje rasti e ka qenë e diele, inspektori ka qenë dje i ka marrë informatat preliminare, vetëm emrin, mbiemrin dhe emrin e kompanisë. Ne tash e tutje, pra inspektorët dalin në teren e inspektojnë gjendjen”, potencoi Ibrahimi.
Ndërkohë, që kompania Lab-Oil nga Prishtina, përmes një komunikate për media ka treguar detajet e vdekjes së 22 vjeçarit.
“Më datë 24.02.2019 në fabrikën e Petrokoksit që gjendet në Preoc (magjistarja Prishtinë-Ferizaj), aksidentalisht ka humbur jetën punëtori ynë, Krenar Jemini (1997). I ndjeri Jemini në momentin kritik ka qenë duke kryer punët e tij në fabrikë dhe ka shkarë në shiritin transportues të fabrikës, ku ka marrë lëndime vdekjeprurëse. Kompania Lab-Oil me anë të kësaj komunikate dëshiron që të bëjë me dije për opinionin se kjo është e vërteta e ngjarjes tragjike që ka ndodhur në kompaninë tonë. Familjes së ish-punëtorit tonë, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në komunikatë.
Kujtojmë që vitin e kaluar (2018) në vendin e punës, për shkak të pasigurisë në punë kanë mbur jetën 23 persona prej tyre 12 në sektorin e ndërtimit.
Në vitin 2017 në vendin e punës kishin vdekur 19 punëtorë dhe dhjetëra të tjerë ishin lënduar./Ndërtimi.info/
