Aktuale
Pejanët përmes protestës i thonë sërish “Jo” hidrocentraleve

Qytetarët e Pejës kanë mbushur sot sheshin qendror në Pejë, duke kundërshtuar projektin e propozuar për ndërtimin e hidrocentraleve, në Grykën e Lumbardhit.
Me pankartat: ‘Politikën e japim, Lumbardhin se japim”, ‘Lumbardhi krenari e Pejës’, , “Jo diga, jo gypa, mbro natyrën, mbro turizmin” dhe , ‘Mos ma prek Lumbardhin” protestuesit kanë shprehur pakënaqësit në lidhje me investimin e paraparë.
Protestuesit paraprakisht kishin nënshkruar edhe peticionin, përmes të cilit synohej të ndalohej zhvillimi i mëtutjeshëm i tij.
Njoftimi nga Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, se kompania austriake “Kelkos Energy” do të investojë 97 milionë euro për ndërtimin e hidrocentralit me energji alternative, ditë më parë nxiti edhe reagimin e të të parit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, të organizatave Mjedisore dhe aktivistëve për mbrojtjen e mjeedisit.
Ndërkohë që për këtë çështje ka reaguar edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, i cili ka bërë të ditur se pas protestës së qytetarëve në Pejë dhe shqetësimeve legjitime të ngritura në takim nga përfaqësuesit e komunitetit rugovas rreth projektit të ndërtimit të hidrocentraleve në Lumbardh, nga Ministria e linjës ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të procedurave të mëtejme deri në krijimin e një pasqyre të qartë dhe të gjithanshme për shkallën e impaktit të këtij projekti në mjedis.
Edhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari konsideron se është e nevojshme që institucionet ta shqyrtojnë seriozisht kërkesën e qytetarëve për mbrojtjen e Lumbardhit, në mënyrë që të bëhet balancim i drejtë në mes të interesave të qytetarëve për mbrojtje të mjedisit, të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të zhvillimit të hidroenergjisë.
Jashari kërkon që shteti ta vlerësojë me kujdes interesin në mes të rëndësisë së prodhimit të energjisë përmes hidrocentraleve në raport me ndikimin në mjedis, që mund të jetë i rëndë.
Për më tepër, Avokati i Popullit rikujton të gjithë se e drejta e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje është e drejtë e garantuar me Kushtetutën e vendit dhe me standardet ndërkombëtare, proces i cili i jep mundësi secilit që të ndikojë në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor.
“Institucionet duhet ta respektojnë të drejtën e qytetarëve për informim për çështjet mjedisore, si proces i pashmangshëm, i cili duhet t’i paraprijë çdo projekti me ndikim në mjedis. E drejta për informata mjedisore, e drejta e publikut në vendimmarrje mjedisore dhe qasja në drejtësi janë të drejta të njeriut dhe parime mbi të cilat bazohet i tërë legjislacioni që rregullon fushën e mjedisit në vend”, përfundon reagimi/Ndërtimi.info/
