Arkitekturë
Një histori mbi të “Bukurën e asaj që mbetet” nga Aslihan Demirtas

Arkitekja Aslihan Demirtas ka zgjedhur të flasë përpara publikut kosovar për “Bukurinë e asaj qe mbetet”, të premtën e fundit të Shkurtit të 2019-s.
Në Kino “Armata”, e cila së fundi është bërë shtëpi e plot ngjarjeve kulturore dhe ligjëratave nga personalitete të ndryshme, Fondacioni “Lumbardhi” dhe Fondacioni Kosovar i Arkitekturës sollën arkitekten e ri-jetësimit të Kino Lumbardhit në Prizren, gjithashtu themeluese e KHORA Office & Aslıhan Demirtaş Architecture & Research Office, shkruan Ndërtimi.info.
Arkitektja Demirtas shpalosi disa arsye përse njerëzit duhet të ruajnë thesare arkitekturore, ato të cilat tregojnë diçka nga një kohë e caktuar.
“Duke i rrënuar ato, ne i vjedhim njerëzve të tjerë të drejtën për të parë diçka që ka mbetur nga një kohë e caktuar“, u shpreh Demirtas.
Ajo mori shembull Kino Lumbardhin, e cila dikur funksiononte si bar, dhe si arritën që ta rikthejnë në jetë, duke “hequr”:
“Nuk kishte para dhe buxhet, por ekzistonte dëshira e madhe për të futur në ripërdorim këtë kinema“, rrëfeu ajo, tek tregonte procesin e ri-jetësimit të Kino Lumbardhit.

Aslihan Demirtas gjatë prezantimit
“Meqë nuk kishim mjaft para për të shtuar, filluam të heqim“, tha ajo, duke iu referuar ndryshimit të murit, një detaj të cilin ajo po e shfaqte në ekran, të cilit i kishin hequr një shtresë dhe përfundoi me një pamje unike.
Shumë ishin bashkuar për ta shndërruar Kino Lumbardhin në një vend me aktivitete të shumta, të vazhdueshme, në mënyrë që hapësira të jetë e përdorshme gjatë gjithë kohës.
Tani Kino Lumbardhi është shndërruar në një hapësirë ku mbahen koncerte, performanca, punëtori e shumëçka tjetër.
“Kur shoh renovimin e Kino Lumbardhit, ka qenë një proces fantastik. Tani shoh një vend i cili është shndërruar në diçka që është dashur gjithmonë të jetë“, u shpreh arkitektja Demirtas.
Ajo tha se ende ka nevojë për disa punime, siç është shtimi i një prapaskene, për të gjitha performancat që kanë nevojë për një të tillë. Ajo shpalosi vetëm disa prej imazheve të hapësirave të dizajnuara nga studio e saj për të cilat tha se janë vetëm një vështrim i vogël i punës në vazhdim në Kino Lumbardhi.
Kinemaja “Lumbardhi” është ndërtuar dhe e menaxhuar dikur nga shteti.
Reportazh nga Media Ndërtimi për historinë e Kinos Lumbardhi.





