Connect with us

Featured

Peja ia tregon “dhëmbët” hidrocentraleve: “Mos e prek Lumbardhin”

Published

on

Gryka e Lumbardhit ka gjasë që të bëhet me hidrocentral, për çka është dhënë drita jeshile nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI).

Projekti për ndërtimin e këtij hidrocentrali, përveç dëmeve mjedisore që i sjellë Komunës së Pejës, po konsiderohet edhe “beterizim i të bukurës”. Por, për këtë projekt Ministria e Industrisë dhe Tregtisë tani po heshtë. Kjo ministri nuk i është përgjigjur pyetjeve të dërguara nga media Ndërtimi.info.

Njoftimi nga Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, se kompania austriake “Kelkos Energy” do të investojë 97 milionë euro për ndërtimin e hidrocentralit me energji alternative, nxiti reagimin e menjëhershme të të parit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Ndërtimi.info ka provuar të kontaktojë edhe kompaninë “Kelkos Energy” por një gjë e tillë nuk qe e mundur.

Përkrah Muhaxherit janë rreshtuar edhe shumë qytetarë të Pejës, të cilët përmes rrjeteve sociale kanë shpërndarë fotografitë me mbishkrimin “Mos e prek Lumbardhin”, Organizata Mjedisore “Era Group” (Environmentally Responsible Action) si dhe aktivistë për mbrojtjen e mjedisit.

Një kundërshtim si ky po vie meqë po konsiderojnë se pasojat për ndërtimin e këtij hidrocentrali në atë zonë do të ishin të mëdha.

Shefi i zyrës së kryetarit të komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, Durim Sheremeti,  për Ndërtimi.info tha se janë 21 kilometra në të cilat po pretendohet të futen gypat, e që pasojat sipas tij do të ishin të larta. Gjithë kjo duke marrë parasysh edhe ndërtimin e hidrocentralit në Deçan në vitin 2016-të.

“Pasojat do të ishin jashtëzakonisht të larta në ndikimin ambiental sepse prishet e gjithë rrjedha e lumit. Në lidhje me projektin për të cilin po flasim, janë diku rreth 21 kilometra të cilat pretendohet të futen në gypa. Gypat janë jashtëzakonisht të lartë dhe rrjedha e ujit e cila vjen në këtë Lumbardh është jashtëzakonisht vitale për Komunën e Pejës. Nuk mund të lejojmë që ky lum, apo kjo pjesë e lumit të futet në gypa. Duke shtuar këtu edhe investimet të cilat janë bërë në Grykën e Deçanit ose në Lumbardhin e Deçanit. Vetëm duke parë atë se çfarë ka ndodhë me Lumbardhin e Deçanit e shihni pse Komuna e Pejës, Shoqëria Civile dhe i gjithë komuniteti janë kundër ndërtimit të këtij impianti”, ka theksuar Sheremeti.

Madje Shermeti thotë se për këtë investim nuk janë përmbushur as procedurat legjislative dhe se duhen shumë leje mjedisore në mënyrë që projekti të avancohet.

Ai ka theksuar se zona e Rugovës është me interes të veçantë për zhvillimin e turizmit, por që projektet e tilla e pamundësojnë një zhvillim të tillë.

“Zona e Rugovës është në interes të veçantë për zhvillimin e turizmit, ndërsa investime të tilla, të cilat janë paralajmëruar qysh në 2012-tën, kur ishte nënshkruar një marrëveshje me investitorin, e pamundësojnë këtë, duke e pasur parasysh investimin që është bërë në Lumbardhin e Deçanit”, është shprehur Sheremeti.

Për të parandaluar ndërtimin e hidrocentralit, Sheremeti ka treguar për hapat që do t’i ndërmarrë Komuna për parandalimin e këtij projekti.

“Hapat të cilat Komuna e Pejës do t’i ndërmerr janë ligjor. Janë hapa të cilët na garantohen me ligj dhe dokumentohen. Ne do t’i ndërmarrim dhe nuk do të lejojmë të ndërtohet në asnjë formë në Lumbardhin tonë. Ne jemi përgjegjës derisa jemi të përzgjedhur, derisa Kryetari i Komunës, është i zgjedhur me votë direkte, është përgjegjës për menaxhimin e saj dhe e bënë përgjegjës ligji për vetëqeverisje lokale i cili kompetencat ekzekutive prej 2008-s e këndej ia ka lënë kryetarit të komunës dhe kështu që besoj që as kryetari e as ndonjë zyrtar tjetër nuk kishte dashur të mendoj për ta shkelur ndonjë ligj i cili prodhon efekte juridike”, shtoi ai për Ndërtimi.info.

Lumi në Deçan, pas ndërtimit të hidrocentralit

Drejtoresha e Programeve në Organizatën “Era”, Ellen Frank Lajçi, për Ndëtimi.info thotë se ndërtimi i hidrocentralit në Deçan është shembulli më i keq prej të cilit duhet të mësojmë. Projekt ky që po ashtu ishte ndërtuar nga kompania “Kelkos Energy”.

Siç edhe shpjegon Lajçi ndërtimi i hidrocentralit shkatërron mjedisi dhe ujin e pijshëm.

“Ne përkrahim qëndrimin e Komunës së Pejës. Ne jemi kundër tentativës për këtë projekt sepse nuk është tentativa e parë për krijimin e hidrocentraleve. Prej vitit 2014-të ose më herët, kanë dashur të marrin autorizim për ndërtimin e 5 hidrocentraleve në Rugovë. Në këtë mënyrë bëhet  shkatërrimi i mjedisit, bëhet shkatërrimi i ujit të pijshëm për njerëzit dhe ne e kemi parë se çfarë ka ndodhë në Deçan me të njëjtat firma. Ai ka qenë mësimi më i mirë për neve se çfarë mund të ndodhë me keqpërdorimin e hidrocentraleve të vogla. Ne jemi shumë kundër edhe para një viti kemi bërë fushatën ‘Blue Heart’ të rritet vetëdijesimi se çfarë shkatërrimi mund të bëjnë hidrocentralet”, ka deklaruar Lajçi.

Lajçi thotë se po ndjehen të brengosur që një projekt i tillë po konsiderohet investim strategjik, i cili përveç që nuk e ndihmon qëllimin po e rrezikon komunietin.

“Jemi shumë të brengosur pasi që po konsiderohet si investim strategjik në të gjithë Kosovën dhe nivel kombëtar, sepse për ne nuk është strategjik aspak, as nuk është strategjike që i përmbushë kriteret për energjinë e ripërpunueshme, as nuk e ndihmon qëllimin madje rrezikon krejt komunitetin, mjedisin, turizmin, zhvillimin ekonomik. Qëndrimi i jonë është shumë i fortë, bashkë me komunitetin, bashkë me komuna, bashkë me shumë Organizata tjera Qeveritare dhe Ministrinë e Mjedisit. Ne jemi kundër hidrocentraleve të vogla brenda nivelit kombëtar”, ka deklaruar ajo.

Investimet e tilla sipas Lajçit sjellin përfitime vetëm për investitorët, por jo edhe për njerëzit, e që ky komunitet do të paguaj më së shtrenjti këtë çmim.

“Është një katastrofë për mjedisin dhe ka një ndikim katastrofal edhe për njeriun dhe një gjë e tillë është shumë shqetësuese. Investimet e tilla janë të mira për investitorët, ata kanë përfitimet e tyre, sepse njeriu nuk investon në qoftë se nuk përfiton, i ka përfitimet por ajo çfarë i kushton p.sh Kosovës, dhe mjedisit, edhe mundësitë për një jetë të ardhme, është shumë e madhe. Këtu përfiton investitori edhe krejt Kosovës i kushton për ta paguar atë çmim. Ky problem nuk është veç në komunën e Pejës, por na ka prekur më së shumti neve për shkak se kjo organizatë është nga Peja dhe që 18 vite jemi duke punuar për ta mbrojtur Rugovën dhe Bjeshkët e Nemura”, ka deklaruar Lajçi.

Komuna e Pejës përmes një letre dërguar MTI-së ka treguar se projektet që janë zhvilluar në anët atje kanë shkaktuar shumë dëme.

 “Më lejoni që të ju njoftoj, se ky projekt është nga viti 2012-të, dhe ka marrë gjithë këtë kohë sepse, dokumentacioni i cili është miratuar në Komunën e Pejës, pra Plani i Zhvillimit Komunal, kategorikisht e ndalon ndërtimin e hidrocentraleve ose projekteve për prodhimin e energjisë në rrjedhën kryesore të Lumbardhit. Dhe duhet të kemi parasysh, se projektet të cilat janë zhvilluar në anën tonë, e sidomos në Grykën e Deçanit nga po i njëjti investitor, dëmet ambientale kanë qenë kolosale, kështu që ne kemi marrë veprimet tona dhe kemi stopuar çdo komunikim me investitorin”, ishte thënë në letrën e Muhaxherit.

Në këtë mes nuk ka si të mungojë edhe kundërshtimi i qytetarëve që pjesa e“Lumbardhi”-t të shndërrohet në hidrocentral.

“Sa e njoh unë këtë kompani këto janë marrëveshje më të këqija se ajo e KEDS-it. Kjo marrëveshje që këtu nuk paraqitet e plotë mund të përfshijë edhe prishje të lumenjve të Kosovës, për prodhim të energjisë të cilën do ta paguajmë me shtrenjtë duke përfshi edhe subvencionet nga buxheti”, ishte shprehur përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, aktivisti për mbrojtjen e mjedisit, Virtyt Gacaferi.

Edhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në degën e kësaj partie në Pejë, Taulant Kelmendi ka thënë se banorët e Pejës janë kundër shndërrimit të lumit “Lumbardhi” në hidrocentral.

“Takimin i thirrur dje nga Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala për diskutimin e projektit ‘Kelkos Energjia- Peja SH.P.K’ për ndërtimin e hidrocentraleve për prodhimin e energjisë në rrjedhën kryesore të Lumbardhi është bërë në mënyrë klandestine duke u kujdesur për mospjesëmarrjen e përfaqësuesve të komunitetit. Banorët janë kategorikisht kundër shndërrimit të Lumbardhit në Hidrocentral. Shtrirja e gypave të këtij hidrocentrali për 25 km e dëmton rëndë natyrën dhe rrjedhimisht turizmin në Rugovë”, ka thënë Kelmendi.

Kurse, zëvendësministri i Financave dhe anëtari i Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike, Fatmir Gashi, ka deklaruar se nuk do ta nënshkruaj një për një projekt të tillë.

Ndërkohë, kujtojmë se Komuna e Deçanit kishte ndërtuar tri hidrocentrale nga kompania ‘Kelkos–Energy’ nga Austria në partneritet me Komunën e Deçanit, ku vlera fillestare e investimit kishte qenë 55 milionë euro.

Por, një pjesë e Lumbardhit të Deçanit pati mbetur pa ujë, dhe ish-Kryetari i Deçanit Rasim Selmanaj, pati iniciuar një padi përmes Policisë së Kosovës, kompanisë investuese.

Selamanaj pati deklaruar se kompania nuk kishte respektuar lejen përkatëse të lëshuar nga MMPH-ja dhe kontratën në të cilën shkruhej qartë që asnjëherë nuk guxon të mbetet nën 30 për qind të ujit në lum.

Përveç kompanisë austriake “KelKos-Energy Peja”, edhe kompania “Solar Kosova 2020” planifikon të investojë miliona euro në Kosovë.

“Solar Kosova 2020” planifikon investimin e 128 milionë eurove në Komunën e Obiliqit, ndërsa “KelKos-Energy Peja SH.P.K” 97 milionë në Komunën e Pejës./Ndërtimi.info/

Featured

Kompanitë kosovare ftohen të respektojnë Ligjin gjerman të furnizimit

Published

on

Ligji Gjerman i Zinxhirit të Furnizimit (Lieferkettensorgfaltspflichtengesetz – LkSG) ka hyrë në fazën e dytë të zbatimit më 1 janar 2024, duke zgjeruar fushëveprimin e tij për të mbuluar të gjitha kompanitë në Gjermani me mbi 1000 punonjës.

Zgjerimi do të shtojë rreth 2,000 kompani gjermane në kuadrin rregullator. Këto kompani do të aplikojnë kriteret që parashihen me ligj përgjatë gjithë zinxhirit të tyre të furnizimit dhe tek furnitorët jashtë Gjermanisë. Përfshirë këtu kompanitë nga Kosova që janë furnitorë të kompanive gjermane, apo që synojnë të bëhen furnitorë për kompani gjermane.

Ligji për Zinxhirin e Furnizimit u miratua në vitin 2021 dhe zyrtarisht hyri në fuqi më 1 janar 2023, duke iu kërkuar kompanive gjermane të plotësojnë kritere për të siguruar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut dhe çështjet mjedisore në zinxhirët e tyre të furnizimit global.

Ligji implementohet në tri faza: Në fazën e parë, ligji gjerman u aplikua për kompanitë me mbi 3000 punonjës në Gjermani. Përafërsisht 900 kompani të mëdha gjermane u detyruan ta zbatojnë ligjin.

Në vitin e parë të zbatimit, Zyra Federale për Çështjet Ekonomike dhe Kontrollin e Eksportit (BAFA) ishte përgjegjëse për monitorimin dhe zbatimin e ligjit. BAFA kreu 486 inspektime të kompanive të mëdha për të vlerësuar pajtueshmërinë. Vlerësimi i përgjithshëm i BAFA ishte pozitiv, duke gjetur se kompanitë ishin përgjithësisht të suksesshme në krijimin e sistemeve dhe proceseve të nevojshme për të përmbushur kërkesat e Ligjit në fazën e parë.

Megjithatë, zgjerimi i zbatueshmërisë së Ligjit Gjerman të Zinxhirit të Furnizimit në ndërmarrjet e  mesme pritet të paraqesë më shumë sfida.

Kompanitë kosovare që nuk i zbatojnë kushtet e parapara me këtë ligj, nuk do të mund të vazhdojnë apo fillojnë eksportin në Gjermani.

Continue Reading

Aktuale

‘Autostrada Hangar’ do të hapë dyert për publikun më 5 Mars 2022

Published

on

Autostrada Hangar synon të gjenerojë bashkëjetesë mes komuniteteve duke punuar dhe prodhuar së bashku si një ekip dhe do të përdoret veçanërisht për të plotësuar nevojën urgjente të një edukimi joformal dhe programeve të ndërtimit të aftësive në mënyrë që të fuqizojë të rinjtë në Kosovë dhe rajon.

“Edhe pse hapësira jonë u përdor si një nga ambientet kryesore të edicionit të tretë në 2021, ku patëm një vit mjaft të suksesshëm me ekspozitën tonë ndërkombëtare, programin e zhvillimit të aftësive dhe edukimit, më 5 mars ajo do të jetë gati të hapë dyert e saj me një dizajn i ri dhe një program vjetor.

Deri më tani, ne kemi qenë të përkushtuar për të institucionalizuar “Autostrada Hangar” si institucioni i vetëm i artit bashkëkohor në Prizren përmes krijimit të një programi publik vjetor bazuar në nevojat e komuniteteve dhe partnerëve duke ndjekur parimin e gjithëpërfshirjes, duke e bërë programin të hapur për komunitete të ndryshme dhe më shumë. ekologjikisht të qëndrueshme”, shkruan në njoftim./Media Ndërtimi.

Continue Reading

Aktuale

Asociacioni i Arkitektëve shpallë zgjedhjet për kryetar

Published

on

Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, njofton se duke u bazuar në Ligjin Nr. 06/L-043, për Lirinë e Asocimit ne Organizata Joqeveritare dhe Nenit 27, të Statutit të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, të vitit 2020, shpallë Zgjedhjet e rregullta për Kryetarin e AAK-së

Kuvendi zgjedhor i Asociacioni i Arkitektëve kosovar, do të mbahet të mërkurën, më 30.03.2022 nga ora 17:00, në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës – Prishtinë.

Ftohen, të gjithë anëtarët e Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës që të marrin pjesë në kuvendin zgjedhor, dhe në frymën e konkurrencës së lirë dhe kandidimit, të shprehin vullnetin e tyre për tu kandiduar për pozitën e kryetarit të a-a-k, duke u mbështetur në nenin 33, të statutit./Media Ndërtimi.

Continue Reading

Trending