Aktuale
Aktakuzë ndaj drejtorit të Inspeksionit dhe një inspektorit të ndërtimit në Prizren
Departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj B.H. dhe E.B., për veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, si dhe për veprën penale ‘uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme’.
Sipas aktakuzës i pandehuri B.H. nga data 10.09.2016 e deri më tani në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar, përkatësisht drejtor i Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Prizrenit, duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me dashje nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare të përcaktuara me ligj, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, duke mos ndërmarrë masat e duhura në pajtim me autorizimet e tij ligjore për largimin e aneks-konstruktit metalik të vendosur si vazhdimësi e lokalit, pronar i së cilës është vet i akuzuari, e cila gjendet në zonën e mbrojtur të qytetit.
Me këtë i pandehuri ka uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme pronën e paluajtshme të Komunës së Prizrenit në Zonën e Mbrojtur të Qytetit.
“Andaj me këto veprime i pandehuri B.H. akuzohet se ka kryer veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe Uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme’”.
Ndërkaq, i akuzuari E.B. në cilësinë e personit zyrtar, përkatësisht inspektor i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, i caktuar me përgjegjësi në zonën e mbrojtur, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me dashje nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare të përcaktuara me ligj, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin, në këtë rast për të akuzuarin B.H., të cilin e ka epror, duke mos ndërmarrë masat e duhura të inspektimit në pajtim me autorizimet e tij, për inicimin e procedurës për largimin e aneks-konstruktit metalik, të vendosur si vazhdimësi e lokalit, e cila gjendet ne zonën e mbrojtur të qytetit.
Me këtë veprim i pandehuri E.B. ka kryer veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës kompetente që të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe t’i dënojë sipas ligjit.