Aktuale
Gazmend Muhaxheri kundër ndërtimit të hidrocentralit në grykën kryesore të Lumbardhit

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dje njoftoi se dy investitorë kanë përmbushur kriteret teknike dhe po planifikojnë investimin e 225 milionë eurove.
Në këtë njoftim ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, tregoi se edhe dy investitorë tjerë i kanë plotësuar kriteret teknike dhe se investimet do të bëhen në dy komuna të Kosovës.
“Edhe dy investitorë strategjik i kanë përmbushur kriteret teknike për të kaluar në fazën tjetër të vlerësimit nga ana e grupit operacional të cilin e themeluam sot me vendim të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike”, citohet të ketë thënë Shala.
“Solar Kosova 2020” planifikon investimin e
128 milionë eurove në Komunën e Obiliqit dhe “KelKos-Energy Peja SH.P.K” 97
milionë në Komunën e Pejës. Të dyja këto projekte në energji alternative”, ka
shtuar ministri.
Ky i fundit parasheh ndërtimin e hidrocentraleve të cilat do të gjenerojnë
energji elektrike nga uji. Një prej tyre është edhe hidrocentrali “Lumbardhi ll”
në Deçan, i cili do të ketë një kapacitet prej 5.5 MW (megavat).
Mirëpo, kundër këtij vendimi ka dalë Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend
Muhaxheri, i cili i është drejtuar Ministrit të Tregtisë, Endrit Shala, më një
letër në të cilën ka treguar se Kuvendi Komunal i Pejës ka miratuar Planin e
Zhvillimit Komunal që ndalon çdo lloj investimi të tillë nga ky investitor,
sepse siç thuhet në letër kjo kompani ka shkaktuar dëme të mëdha për ambientin
në Grykën e Deçanit.
“Më lejoni që të ju njoftoj, se ky
projekt është nga viti 2012-të, dhe ka marrë gjithë këtë kohë sepse,
dokumentacioni i cili është miratuar në Komunën e Pejës, pra Plani i Zhvillimit
Komunal, kategorikisht e ndalon ndërtimin e hidrocentraleve ose projekteve për
prodhimin e energjisë në rrjedhën kryesore të Lumbardhit. Dhe duhet të kemi
parasysh, se projektet të cilat janë zhvilluar në anën tonë, e sidomos në
Grykën e Deçanit nga po i njëjti investitor, dëmet ambientale kanë qenë
kolosale, kështu që ne kemi marrë veprimet tona dhe kemi stopuar çdo komunikim
me investitorin”, thuhet në letrën e Muhaxherit.
Tutje në letër thuhet se Ministria ka njoftuar vetëm disa minuta para takimit
Komunën e Pejës, ndërsa ka kërkuar që për zhvillimet e projekteve në këtë
komunë të njoftohen pesë ditë përpara.
Ndër të tjera Muhaxheri në letër ka shtuar se nëse lejohet ndërtimi i këtij hidrocentrali do të bllokojë 25 kilometra dhe ky qytet ka shtyllën kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, turizmin në Grykën e Rugovës.
