Aktuale
Këto dy kompani janë finaliste në garë për parkingun nëntokësor, në Prishtinë

Procesi i realizimit të Parkingut Nëntokësor te Fakulteti Filologjik me Partneritet Publiko-Privat (PPP), tashmë është afër fazës përfundimtare.
Sipas njoftimit të Komunës së Prishtinës, në garë për këtë projekt kanë mbetur dy kompani. Bëhet fjalë për kompaninë “Best in Parking Holding AG” dhe “AL trade Holding& Exfis Sh.p.k & NTSH Profitech”.
Për përfundimin e këtij procesi, ishin kualifikuar gjithsejt katër kompani, por që dy prej tyre “NUHA Bauunternehmun GMBH & Co KG &Qamili GBR”Alba Clean” dhe “Jaha Company & Ronstruzioni Spa”, ishin tërhequr nga gara. Arsyet e tërheqjes së këtyre kompanive akoma nuk janë bërë të ditura.
Drejtori për planifikim strategjik dhe zhvillim të qëndrueshëm, Genc Bashota, ka thënë se më 16 korrik kanë përfunduar procesin e përzgjedhjes së kompanive të kualifikuara.
Sipas Bashotës, parkingu me minimun 500 vendparkingje dhe me lokale afariste deri në 500 metra katrorë, pritet të nisë në verën e këtij viti.
“Jam optimist që do të fillojë këtë vit, s’kisha dhënë data sepse i kemi dy kompani dhe njëra mund të ketë ankesa. Shpresoj që deri në verë të këtij viti jemi në fazë për të filluar punimet, varësisht nga lloji i ankesave”, ka thënë Bashota.
Procesi i përzgjedhjes së kompanisë, sipas ligjit, zgjatë një muaj. Pas përzgjedhjes janë edhe dy hapa, nënshkrimi i kontratës dhe gjithë ky proces kthehet për aprovim në komitetin ndërministrorë të partneritetit publiko-privat.
Pas kësaj, afati i kryerjes së punëve është 24 muaj nga hyrja në fuqi e kontratës. Kryetari Shpend Ahmeti kishte premtuar se ndërtimi i këtij parkingu do të niste më 2018.
