Aktuale
Banorët e konvikteve në “Qytetin Studenti”, të kënaqur me kushtet e përmirësuara

Godina nr.5 në Qytetin Studenti në Tiranë i është nënshtruar rikonstruksionit. Ndryshimet që kanë sjellë kushte të përmirësuara në konvikt kanë lënë të kënaqur studentët që banojnë aty.
Për shkak se studentët jetojnë ende në konvikte, bashkia e Tiranës ka punuar deri tani me mjediset e përbashkëta, dushet, nyjet sanitare dhe fasadat, ndërsa ndërhyrja nëpër dhoma do bëhet gjatë muajve të verës, kur studentët të largohen në shtëpitë e tyre.
Studentet e vitit të parë thanë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se mendonin se do të gjenin kushte më të mira në konvikte, dhe janë të kënaqur që ato u përmirësuan pas protestës së studentëve. Tanimë, ata vlerësojnë kushtet e reja, duke vënë në dukje faktin se ndërhyrjet u kryen në kohë rekord.
“Ky është viti i parë që jam në konvikt dhe në fillim kushtet ishin të mjerueshme le të themi. Që kur filloi protesta, filloi rikonstruksioni në kohë rekord duke filluar nga dushet, nga 8 dushe të reja, dhoma me mobilje. Duke bërë një Bibliotekë të re me libra, tavolina të reja në një farë mënyrë si një lokal i vogël që mund të studiosh qetë. Vitin tjetër do t’ua sugjeroja shoqeve të mia sepse edhe kushtet janë të mira. Nuk besoj se edhe në shtëpitë me qira i kanë kushtet kaq të mira”, thotë një studente.
Një tjetër studente thotë se tashmë ia vlen për të qëndruar në konvikt pasi ke siguri dhe një studenti i kursen para për shkak të pagesës se ulët që ka.
“Para rikonstruksionit mobiljet kanë qenë të vjetra. Nuk kanë qenë në kushtet që donim ne. Përmirësimi duhej bërë patjetër sepse nuk mund të jetonim në ato kushte. Me kushtet që kemi tani ia vlen sepse në shtëpi me qira do të harxhonim 2-fish ose trefish ndërsa në konvikt nuk harxhojmë fare pothuajse”, -shprehet studentja.
Më tej, siguria në konvikt shihet me prioritet nga studentët.
“Duke parë ndryshimet e bëra, mendoj se konvikti është zgjedhje e mirë për studentët për vetë faktin sepse përveç kushteve të përmirësuara, konvikti ofron siguri për ne. Sigurinë nuk do ta kishim nëse do të ishim në shtëpi me qira ashtu sikurse e kemi këtu”, përfundon studentja.
Qendrat studentore kanë kaluar në varësi të Bashkisë së Tiranës. Për rikonstruksionin e konvikteve, bashkia e Tiranës, krahas mbështetjes buxhetore, po aplikon edhe skemën “adapto një konvikt” e ndjekur në rastin e çerdheve dhe të kopshteve. /j.p/
