Connect with us

Aktuale

Punëtorët e “Llamkos”-it e kundërshtojnë shitjen e fabrikës pa kushte

Published

on

Ndërmarrja për prodhimin dhe përpunimin e llamarinës “Llamoks” në Vushtrri, pritet të dalë në ankand publik brenda pak muajsh.

Më 8 shkurt, Gjykata Themelore e Prishtinës – Departamenti për Çështje Ekonomike ka marrë vendim që ta vë në shitje, pa kushte, këtë fabrikë, e cila është në procedurë të falimentimit që nga viti 2015.

Por, këtë vendim të gjykatës po e kundërshton Sindikata e Punëtorëve të “Llamkos”-it, e cila është kreditorja e dytë më e madhe e kësaj fabrike, me mbi 700 mijë euro. Në total kjo ndërmarrje ka obligime të pakryera financiare në vlerë prej mbi 4 milionë euro ndaj më shumë se 20 kreditorëve.

Kryetari i kësaj sindikate, Ragip Hasani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kërkesa e punëtorëve dhe Komunës së Vushtrrisë, për mosndryshim të destinimit të ndërmarrjes, pas shitjes së saj, është mbivotuar nga shumica e kreditorëve.

Kështu, sipas tij, me vendimin e gjykatës për shitje të fabrikës pa kushtëzime për blerësin potencial, është vënë në rrezik e ardhmja e “Llamkos”-it dhe e rreth 500 punëtorëve të saj.

Për të kundërshtuar këtë vendim, Hasani ka thënë së punëtorët do të protestojnë.

“Të premten kemi mbajtur një takim masiv me punëtorët, ku i kam informuar ata për vendimin e gjykatës. Punëtorët patën vërejtje dhe nuk ishin të kënaqur, sepse fabrikës po i ndërrohet destinimi dhe për këtë vendosëm që të protestojmë”, ka thënë Hasani.

Kërkesat kryesore të punëtorëve, sipas Hasanit, janë: mosndryshimi i destinimit të fabrikës pas shitjes, rinisja e punës në të dhe kthimi i punëtorëve në vendet e tyre të punës.

“Interesi ynë – i punëtorëve, është që fabrika të fillojë punën, të kthehen punëtorët në punë dhe të ngjallet ky gjigant ekonomik, një prej shtyllave më të forta ekonomike jo vetëm në Vushtrri por edhe në Kosovë”, ka shpjeguar Hasani.

Ai ka thënë se janë takuar edhe me Avokatin e Popullit dhe kryesuesen e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje. Ndërsa ka shtuar se janë në kërkim të një avokati që ky vendim të kundërshtohet edhe përmes rrugëve ligjore.

Hasani e ka quajtur poshtëruese vlerën prej 4 milionë eurosh, e cila është vënë si çmim fillestar për shitjen e kësaj fabrike, që sipas tij ka vlerë dhjetëra milionëshe:

“Ky çmim është poshtërues për një fabrikë si fabrika jonë, e cila e ka vlerën dhjetëra miliona, e jo të dalë (në shitje) me 4 milionë euro. Mirëpo nëse është ndonjë investitor që punon ne nuk kundërshtojmë, por në bazë të vendimit të gjykatës administratori nuk është i interesuar që fabrika të gjejë ndonjë investitor të punojë, por vetëm për ta shitur dhe larë këto borxhe të kreditorëve”.

Viryt Ibrahimaga, administrator i “Llamkos”-it, i caktuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kushtet e ankandit i ka vendosur gjykata duke u mbështetur në votën e shumicës së kreditorëve.

Ai ka shtuar se kërkesa e sindikatës dhe Komunës së Vushtrrisë është diskutuar, por, sipas tij, ligji nuk lejon kushtëzime dhe se interesi i shumicës së kreditorëve ka qenë që përmes shitjes pa kushte të marrin pjesën e tyre.

“Edhe në ankand publik, sipas rregullave – flasim për procedurën përmbarimore – nuk mund të vë kushte askush, sepse duhet të sigurohet barazia e të gjithë ofertuesve. Tash e kemi kuptuar që është interes i të gjithëve që të vijë një investitor që do ta blinte dhe ndoshta të vazhdonte veprimtarinë, por një kushtëzim i tillë nuk mund të parashihet me ligj”, ka sqaruar Ibrahimaga.

Ibrahimaga ka vlerësuar se edhe borxhi prej 4 milionë eurosh ka ndikuar për vënien e fabrikës në shitje pa kushte, duke shmangur shitjen përmes ofertës më të ulët.

“Pastaj është edhe problemi tjetër, kush do ta mbikëqyrë atë që do ta vazhdojë veprimtarinë. Është pra problem edhe monitorimi, nëse e vazhdon vërtet atë veprimtari, sepse unë si administrator me shitjen e aseteve, e humbi kontrollin mbi atë vend”, ka theksuar Ibrahimaga.

Ai ka shtuar se përmbyllja e procesit të shitjes është çështje e dy-tre muajve të ardhshëm. Sipas tij, çfarëdo ankese në shkallët më të larta të gjykatës vetëm sa do ta prolongonte procesin, pasi vendimi i Gjykatës Themelore për këtë formë shitjeje, ka qenë strategjik.

Kundër shitjes pa kushte është shprehur edhe ish-kreu i Odës Ekonomike të Kosovës edhe njohësi i fushës, Safet Gërxhaliu. Sipas tij, ekonomia e Kosovës, pas luftës ka pësuar shumë dëme nga procesi i privatizimit, nga i cili, sipas tij, nuk është arritur asnjë prej objektivave.

Gërxhaliu thotë që fabrikës së llamarinës në Vushtrri nuk duhet t’i ndërrohet destinimi pasi ajo përbën një aset strategjik për Kosovën.

“Jemi në kohën kur industria e metaleve, e përpunimit të tyre, është në vlugun më të madh, qoftë në aspektin evropian apo global dhe në këtë drejtim duhet të kemi kujdes me këtë ndërmarrje, e cila besoj që jo vetëm për komunën (e Vushtrrisë), por edhe për Kosovën është e rëndësisë strategjike”, ka thënë Gërxhaliu.

Sipas ish-kreut të Odës Ekonomike, “Llamkosi” duhet të vihet në funksion të punësimit dhe zhvillimit, e jo të ketë fatin e keq të shumë fabrikave tjera, që u është ndërruar destinimi.

“Në qoftë se deri tash kemi pasur dështim të ‘Spin Off-it special’, atëherë kjo fabrikë nuk meriton një fat të tillë. Prandaj, duhet përgjegjësi dhe definitivisht një ndër kushtet kryesore duhet të jetë mosndërrimi i destinimit, sepse jemi dëshmitarë të një realiteti të hidhur, ku shumë fabrikave të tilla jo vetëm që u është ndërruar destinimi, por edhe janë shndërruar në objekte banimi. Dhe, me këtë nuk mund të ketë krijim të vendeve të reja të punës ose efekte pozitive, prandaj është koha kur duhet që kjo fabrikë duhet të shpëtohet nga një situatë e tillë e cila do të ishte fatale për komunën e Vushtrrisë, por edhe për Kosovën në fund të fundit”, vlerëson ai.

Fabrika për prodhimin dhe përpunimin e llamarinës “Llamkos”, ishte privatizuar dy herë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit – fillimisht më 2005 përmes “Spin Off-it special” dhe për herë të dytë më 2011.

 

 

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending