Aktuale
Deklaratë e FUQISHME për ndërtimet pa leje në Pejë

Inspektori i ndërtimit Vehbi Lika, ka deklaruar se kishin pasur presion nga kryetari dhe nënkryetari i Pejës, për të mos vepruar në disa raste të ndërtimeve pa leje në këtë komunë.
Një deklaratë të tillë, ky dëshmitar e ka dhënë në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Pejë, ku ka vazhduar gjykimi ndaj ish-drejtorit të Inspeksionit në këtë komunë, Demë Dashi, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ai akuzohet se me dashje nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014, deri 14 nëntor 2016, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.
Në dëshminë e tij, në seancën e së martës, inspektori i ndërtimit, Vehbi Lika, ka thënë se kishte punuar në inspektoratin e ndërtimit në Pejë prej korrikut 2015 deri në vitin 2016.
Dëshmitari Lika ka deklaruar se kishte pasur presione nga ana e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe nënkryetarit, Shkumbin Gashi për të mos vepruar në punën e tij si inspektor.
Lika përmendi rastin e ndërtuesit Hekuran Selimi, i cili kishte tejkaluar lejen e ndërtimit për katin e shtatë dhe ndaj tij nuk ishte i sigurt nëse kishte lëshuar vendim për rrënim.
Sipas dëshmitarit, presioni direkt kishte ardhur nga kryetari i Pejës dhe nënkryetari, për të mos shkuar në vendpunishte të ndërtuesit, ndërsa sipas tij, i akuzuari Dashi i kishte thënë se duhet t’i kryente të gjitha veprimet ligjore për rastin sepse përgjegjësia bie mbi të.
“Ishte e vërtetë se kam marrë një mesazh nga nënkryetari i Pejës Shkumbim Gashi që mos ta pengonte ndërtuesin, kurse kryetari i Pejës më kishte thënë verbalisht”, theksoi dëshmitari.
Ai tha se edhe tek ndërtuesi Ekrem Lluka kishte tejkalim të lejes së katit të fundit dhe kishte marrë presion nga kryetari i Pejës, të mos ndërmerrte veprime.
“Ndërtuesi Ekrem Lluka kishte tejkalim të lejes të katit të fundit, ngase kryetari me ka thënë verbalisht të mos marr veprime sepse ndërtuesi kishte aplikuar për kushte të ndërtimit”, tha dëshmitari
Një rast tjetër, në të cilin ishte ballafaquar me ndikim gjatë punës si inspektor, ishte edhe tek ndërtuesi Bali Mekaj, për të cilin dëshmitari tha se këtu i akuzuari kishte kërkuar nga ai që lëndën e tij të mos e dërgonte në gjykatë, për shkak të afërsisë mes të akuzuarit Demë Dashi dhe ndërtuesit Mekaj.
Kurse, në rastin e ndërtuesit Ahmet Cedefi, objekti i të cilit, sipas dëshmitarit, nuk kishte leje ndërtimore dhe në një pjesë ka qenë në hapësirë publike, pas ballafaqimit nga prokurori Ali Uka, ai tha se ishte e vërtetë ajo çka kishte deklaruar se objekti nuk ishte rrënuar nga presioni i kryetarit dhe nënkryetarit të Komunës së Pejës.
Avokati Isa Osdautaj e ka pyetur atë se se kush e bën ekzekutimin e vendimit për rrënim të objekteve.
“Vendimin e përgatit inspektori i ndërtimit i ngarkuar me lëndën përkatëse. Lënda përcillet në hierarki tek shefi i inspeksionit apo drejtorit për ekzekutim, por si duket edhe drejtori ka qenë i ndrydhun”, tha dëshmitari Lika
Në pyetjen e të akuzuarit Demë Dashi se a i kishte ndërhyrë ai ndonjëherë në pjesën e ndarjes së lëndëve dëshmitari tha se s’kishte ndodhur të ketë pasur ndikim.
Në këtë seancë, dëshminë e tij e ka dhënë edhe inspektori tjetër Pashk Berisha, i cili ka deklaruar se kompetent për rrënimin e objekteve banesore të cilat ishin pa leje dhe në tejkalim të lejes së ndërtimit, ishte drejtori i Inpeksisonit të ndërtimit, Demë Dashi
“Unë i kam marrë të gjitha masat përkatëse deri të rrënimi, sepse rrënimi nuk është kompetencë e imja”, tha dëshmitari.
Pashk Berisha tha se me interpretim të zyrës ligjore të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor përcaktohej se kompetencë për ekzekutimin e vendimeve për rrënim kishte drejtori, kurse sipas konkursit për inspektor për ndërtim, nuk parashikohej detyra e ekzekutimit të rrënimit nga inspektorët.
Dëshmitari Pashk Berisha rrëfeu para trupit gjykues, se shumë ndërtues të objekteve banesore kishin ndërtuar objektet e tyre afariste pa leje të ndërtimit apo në tejkalim të ndërtimit, edhe përkundër se ai si inspektor, kishte marrë vendim për rrënim të objekteve.
Mirëpo, sipas tij, kompetenca për ekzekutim të vendimit për rrënim i takonte drejtorit të Inspektoratit.
“Ilir Alidemaj ka pasur një objekt ndërtimor, mirëpo leje të ndërtimit nuk ka pasur sot e asaj dite. Ky ndërtues ka bërë një aneks ndërtimi në objektin ekzistues i cili ka pasur leje, kurse aneksi nuk ka pasur”, theksoi dëshmitari Berisha.
Ai shpjegon se në rastin konkret, kishte marrë vendim për rrënimin e aneksit të ndërtuesit Aldimetaj, dhe e kishte dërguar tek i akuzuari Dashi për ekzekutim.
“Unë për këtë vendim meqenëse nuk kam pasur shef të njësisë ia kam dorëzuar drejtpërdrejt drejtor Demë Dashi, organizimi i rrënimeve bie në përgjegjësinë e drejtorit të Drejtoratit, i cili në atë kohë ishte Demë Dashi”, tha dëshmitari Berisha.
Përveç, ndërtuesit pa leje Ilir Alidemaj, edhe shumë ndërtuesve të tjerë të cilët nuk ishin pajisur me leje ndërtimi, vendimi për rrënim të objektit nuk ishte ekzekutuar.
Dëshmitari Berisha përmendi ndërtuesin Baki Burri, Metë Ademaj, Alma Nimani, Abedin Kurtuli, objektet ndërtimore të cilëve nuk u ishin rrënuar.
Ndërtuesi Baki Burri, sipas dëshmitari kishte ndërtuar një objekt afarist shumë banesor pa siguruar leje të ndërtimit, me ç’rast dëshmitari kishte nxjerrë vendimin për rrënim të objektit, mirëpo asnjëherë ky vendim nuk ishte përmbushur.
“Nuk e dijë pse nuk janë rrënuar”, tha dëshmitari
Ndërsa, për ndërtuesin e paligjshëm Metë Ademaj, dëshmitari tha se kishte bërë rrënimin e shtyllave të objektit pa leje, së bashku me të pandehurin Dashi, mirëpo sipas tij, ndërtuesi prapë kishte vazhduar me punimet.
“Më pas është nxjerrë vendimi për rrënim me datën 11 tetor 2016 dhe 22 tetor 2016, mirëpo vendimet nuk janë ekzekutuar asnjëherë, prapë nuk jam në dijeni pse nuk janë ekzekutuar”, tha dëshmitari.
Kurse, për rastet e ndërtueses Alma Nimani dhe Abedin Kurtuli dëshmitari kishte të njëjtën përgjigje sikurse në rastet e ndërtuesve të tjerë, se vendimet e tij si inspektor për të rrënuar objektet nuk ishin ekzekutuar, dhe se nuk e dinte pse nuk ishin ekzekutuar.
Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të akuzuarit, Isa Osdautaj, se cilat ishin kompetencat e tij si inspektor i ndërtimit, dëshmitari tha se detyrat e tij janë të përcaktuara në nenin 23 dhe 24 të Ligjit mbi Inspektoratit.
Dëshmitari gjithashtu tha se i akuzuari Dashi asnjëherë nuk e kishte penguar për të bërë punën e tij si inspektor i ndërtimit, ndërsa nuk e dinte nëse drejtori kishte për kompetencë të del në terren për të rrënuar objekte.
Në pyetjen e Demë Dashi se a është logjike që drejtori si post politik, t’i ekzekutojë vendimet e një profesionisti i pranuar me konkurs, dëshmitari tha se këto janë të përcaktuara me konkurs të vendit të punës dhe interpretimi të zyrës ligjore të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor.
Dëshmitari në fund theksoi se kompania kontraktuese e cila ishte e angazhuar për rrënim të objekteve, nuk kishte pasur mjetet e mjaftueshme teknike për të bërë rrënimet e ndërtesave.
Kurse, dëshmitari tjetër, i cili është dëgjuar në këtë seancë, ishte Lavdim Lajqi, auditor i brendshëm në Komunën e Pejës.
Ai deklaroi se sipas raportit të tij, inspektorët e ndërtimit nuk e kishin kryer punën deri në fund lidhur me eliminimin e parregullsive në ndërtim.
Në pyetjen e anëtares së trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri, se cila është kompetenca e fundit e një inspektori, vendimi për rrënim apo ekzekutimi, dëshmitari tha se nuk kishte njohuri për këtë.
I akuzuari pati vërejtje duke deklaruar se prokuroria do duhej ta siguronte raportin e një auditori të jashtëm, e jo të brendshëm.
Me kërkesën e të akuzuarit Dashi, seanca e radhës është shtyrë për 11 dhe 12 prill 2019, duke filluar prej orës 10:00.
Ndryshe, në seancën e 15 qershor të vitit të kaluar ish-drejtori i Inspeksionit në Komunën e Pejës, Demë Dashi, është deklaruar i pafajshëm për veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Ndërsa, kryetari i trupit gjykues, Sali Berisha, pas seancës së shqyrtimit të dytë ka marrë vendim që të aprovojë si të bazuar kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit Demë Dashi, avokati Isë Osdautaj për kundërshtimin e provave si të papranueshme, duke përjashtuar nga shkresat e lëndës dëshmitë e dëshmitarëve Hasan Idrizaj, Visar Kelmendi, Bashkim Hadërgjonaj, Arben Qakaj, Sali Qelaj, Gani Mavraj, Mendu Mende, Bakir Burri, Metë Ademaj, Astrit dhe Alma Imami, Abedin Kurtulaj, Gjihad Deçani, Ekrem Lluka, Tafil Alimusaj, Smajl Temaj, Rexhë Zeka, Kujtim Hadërgjonaj, Isa Selimaj, Haxhi Karaqica, Shkelzen Hadërgjonaj, Ideal Gashi dhe Adem Berisha.
Sipas aktakuzës se Prokurorisë Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda të ngritur më 27 mars 2018, Demë Gashi akuzohet se si person zyrtar në pozitën Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Pejës, me dashje nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014 deri 14 nëntor 2016, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.
Gjithmonë sipas aktakuzës, me këto veprime i pandehuri Gashi ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm për tjetrin dhe atë Hasan Idrizaj, Arben Qekaj, Artan Gjoci, Metë Ademaj, Agim Lokaj, Artan Gjoci, Sami Karaqica, Visar Kelmendi, Abedin Kurtulaj, Hekuran Selimaj, Kujtim Hadergjonaj, Rexhe Zeka, Sali Qelaj, me mbi 500.00 euro.
Kjo çështje penale është deleguar prej Prokurorisë Themelorë Pejë në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, për shkak të hetimit të drejtë dhe objektiv.
