Arkitekturë
Një shtëpi e vogël dhe moderne e stilit retro

“Shtëpia duhet të jetë një ambient paqësor, ku secili të gjejë qetësinë që kërkon. Mënyra dhe stili i dekorimit të çdo cepi, duhet të jetë i personalizuar, në mënyrë që çdokush të gjejë veten”, – kështu përgjigjet Emira Zeneli, kur e pyesim për sekretet e dizajnit në një apartament.
Emira është arkitekte prej 7 vitesh dhe nuk i ndan dot nga njëritjetri profesionin e dizajnueses dhe arkitektes, pasi mendon se të shkëputur e humbasin kuptimin. Kjo shtëpi, 140 metra katrorë, ku 20 metra katrorë i zë veranda, është shtëpia e saj e dytë. Një vend kryesor në këtë apartament, zënë pikturat dhe kujtimet e udhëtimeve.
Zonat e kuzhinës dhe sallonit kanë sistem të ndarë ndriçimi për të krijuar atmosferë në çdo ambient. Dritaret e mëdha lejojnë hyrjen e dritës duke i dhënë ambientit një ndriçim natyral dhe qetësues. Kuzhina është e thjeshtë dhe minimaliste, për t’i lënë hapësirë tryezës së ngrënies ku shijohen vaktet e ditës, por edhe kafeja e mëngjesit.
Poltroni i vendosur në tryezën e ngrënies, është vendi i preferuar i zonjës së shtëpisë, por përveç funksionalitetit dhe rehatisë që ofron, i jep një stil retro tryezës minimaliste, ku gërshetohen elementet e drurit dhe të xhamit. Kjo tavolinë ka një pozicionim optimal dhe lidh ambientin e kuzhinës me atë të sallonit, prej nga mund të shijohet një pamje e bukur e qytetit. Ngjyrat e dhomës së ndenjjes janë neutrale, në mënyrë që të mbizotërojnë më tepër pikturat dhe karakteri i tyre. Si vazhdimësi e pikturave është vendosur ekrani i televizorit, i cili qëndron i kapur në mur pa pasur nevojë për një tavolinë mbajtëse, pasi inkuadrohet me kornizat e vendosura më poshtë.
Në qendër të sallonit është vendosur një bibliotekë modeste për librat dhe revistat, e cila kombinohet bukur me sendet e tjera dekorative, si: tavolina e mermerit në sallon, karrigia dekorative dhe qypat prej qeramike të shpërndara në ambient.
Çdonjëri prej artikujve të kuzhinës ka histori të ndryshme, por të gjithë së bashku, krijojnë harmoni dhe unitet gjatë përdorimit. Sigurisht që në tryezë nuk mund të mungonte detaji i gjelbër, për të ruajtur kontaktin me natyrën. Tapeti i kuqërremtë ekuilibron ambientin e ndenjjes dhe i jep ngrohtësinë e duhur atij. Divani në ngjyrë neutrale dhe stolitë në ngjyrë pasteli, ndriçohen natyrshëm dhe përshtaten më së miri me rehatinë e dhomës.
Detaji që mbizotëron më tepër në kuzhinë, në sipërfaqen e dyerve, në tryezën e ngrënies, në parket, por dhe në sendet dekorative, është druri, i cili i jep më tepër ngrohtësi ambientit. Nuk është nevoja që në çdo faqe muri të ketë tavolina ose rafte. Mjaftojnë disa revista ose libra, një vazo zbukuruese dhe një kornizë,
për të krijuar kënde të vogla dekorimi.
Karriget mund të përdoren edhe si tavolina dekorative, duke u përshtatur me stilin e duhur. Ngjyrat neutral dhe pastel të lejojnë të kombinosh disa sende bashkë, pa e rënduar dekorin. Karriget, përveçse duhen përshtatur me stilin e shtëpisë, duhet të jenë sa më komode dhe praktike për një funksionalitet maksimal.
Abazhurët nuk janë vetëm për dhomën e gjumit. Me një dekor minimalist, mund t’i lësh hapësirë ndriçimit të përhapë ngrohtësinë e duhur kudo. Në verandë duhen përdorur ngjyrat e duhura për të sjellë sa më pranë natyrën. Karriget me ngjyra përshtaten më së miri me parketin dhe thyejnë bardhësinë e fasadës së kompleksit. Kredenca zë një hapësirë të mjaftueshme për të vendosur sendet e përditshmërisë si dhe ato dekorative, por pa ndikuar në funksionalitetin e korridorit.
Në dhomën e gjumit, elementi dominues duhet të jetë krevati. Ambienti dhe ngjyrat nuk duhet të jenë të rënduara, në mënyrë që të mos e lodhin syrin. Diversiteti i sendeve krijon një stil të personalizuar dhe i jep jetë dhomës së gjumit. Komodinat e ndryshme janë tashmë një tendencë që mund të përshtaten me çdolloj stili mobilimi.
Në dhomën e gjumit duhet të krijohen kënde relaksi, duke përshtatur mobiliet e ndryshme me njëra-tjetrën, por të jenë gjithmonë funksionale. Edhe në këtë ambient duket se mbizotëron druri, pasi është një element që përshtatet lehtësisht me stile të ndryshme, në varësi të ngjyrës dhe formës që kanë mobiliet
Ndërthurja midis linjave të drejta dhe atyre me hark, i jep freski dekorit të ambientit, duke mos e lejuar të kthehet në një stil monoton dhe të përsëritshëm. Ngjyrat e ndezura në sasinë dhe vendin e duhur, gjallërojnë dhe ndriçojnë këndet, duke krijuar një ambient më të dashur.
Këndi i punës, por edhe ato të relaksit, duhet të dekorohen sa më thjesht, që të mos lodhin syrin dhe të mos tërheqin vëmendjen nga leximi, shkrimi ose puna që mund të jeni duke bërë. Ngjyrat janë tepër të rëndësishme në këto ambiente, prandaj duhen kombinuar që të jenë sa më në harmoni mes tyre.
