Aktuale
Fillon ndërtimi i kolektorit të ujërave të zeza në Lipjan, 1 milion euro

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, bashkë me kryetarin e Komunës, Imri Ahmeti, kanë bërë hapjen e punimeve në ndërtimin e kolektorit të ujërave të zeza në shtatin e lumit Sitncia në Lipjan.
“ Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në mesin e 70 projekteve të infrastrukturës në përmirësimin e gjendjes së mjedisit në Kosovë, të buxhetuara dhe të planifikuara për vitin 2019, ka edhe projektin e shtratit të Lumit Sitnica”, tha ministri Matoshi
I pari i MMPH-së, tha se ka ardhur momenti që të kujdesemi për mjedisin dhe natyrën që të kemi një jetë më të shëndetshme.
“ Me kryetarin Ahmeti, kemi rënë dakord që pas një muaji të jemi në fshatin Vrellë për përurimin e ujësjellësit që e kemi përfunduar dhe po ashtu u dakorduam edhe për tri projekte të tjera kapitale të rëndësishme për komunën e Lipjanit që kanë të bëjnë me pastrimin e shtretërve”, deklaroi Matoshi.
Ministri Matoshi tha se MMPH-ja është duke punuar ngushtë me Qeverinë Gjermane dhe atë të Zvicrës për rregullimin e kolektorëve të cilët do të lidhin qytetin e Prishtinës.
Gjatë këtij takimi ministri Matoshi ka folur edhe për investime në Shpellën e Gadimes e cila është një monument natyror që tërheq shumë turistë nga vendi dhe bota.
Ndërsa kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti gjatë këtij takimi, falënderoi ministri Matoshi duke thënë se projekti për rregullimin e shtratit të Lumit Sitnica ka rëndësi për qytetarët e Lipjanit.
“Është jashtëzakonisht e nevojshëm ndërtimi i kolektorit për trajtimin e ujërave të zezave që kap vlerën rreth 1 milion euro dhe që është financim tërësisht i MMPH-së. Është ndër investimeve më të mira që e mirëpret Lipjani për shkak se deri tash Sitnica ka qenë ujëmbledhës i ujërave të zeza. Falënderoj ministrin edhe për projektet që priten të implementohen”, thotë Ahmeti.
Këtë vit në Lipjan, sipas buxhetit të miratuar do të fillojmë se realizuari edhe këto projekte: “Pastrimi i shtratit të lumit Sllovi- Lipjan” në vlerë prej 200 mijë euro, “Ndërtimi i shtratit të lumit Janjevë” në vlerë prej 400 mijë euro dhe “Ndërtimi i shtratit të lumit Magure” në vlerë prej 300 mijë euro.
