Aktuale
Që tre muaj Drejoria e Kadastrti në Prishtinë, pa drejtor

Janë bërë tre muaj prej kur Shpend Ahmeti i pati shkarkuar drejtorin e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe atë të Kadastrit në Komunën e Prishtinës. Ndërkaq ai i Kulturës ka dhënë dorëheqje pas shkarkimit të bashkëpartiakëve të tij. Ahmeti e ka zëvendësuar drejtorin e Shëndetësisë, por njëjtë nuk ka bërë ende edhe me dy drejtoritë e tjera. Vetëvendosje po e akuzon atë për këto vonesa, ndërkaq komuna thotë se emërimi i drejtorëve të rinj do të bëhet së shpejti
Pati bërë bujë shkarkimi të cilin Ahmeti e bëri përmes një emisioni televiziv, të dy drejtorëve në Komunën e Prishtinës, Nora Kelmendit e Arben Vitisë. Tash e tre muaj, kjo komunë ka mbetur pa drejtor të Drejtorisë së Kulturës dhe asaj të Kadastrit.
E për Drejtorinë e Shëndetësisë, Ahmeti ka gjetur zëvendësimin. Në dhjetor të vitit të kaluar, ai e emëroi në krye të kësaj drejtorie Bujar Gashin, specialist i mjekësisë familjare, i cili në vitin 2016 ishte zgjedhur drejtor i Qendres së Mjekësisë Urgjente në Prishtinë
Mirëpo, Ahmeti njëjtë nuk ka vepruar ende edhe me dy drejtoritë të cilat i kanë mbetur pa udhëheqës.
Vetëvendosje po thotë se mos emërimi i drejtorëve të rinj është dëshmi se Ahmeti nuk ka aftësi për të menaxhuar me kryeqytetin.
Asamblisti i VV’së në Komunën e Prishtinës, Eman Rrahmani, ka thënë për Express se Ahmeti ka premtuar disa herë publikisht se do t’i emërojë drejtorët e rinj, por sipas tij, ai nuk e ka problem mashtrimin publik.
“Mos emërimi i drejtorëve tash e disa muaj vërteton dhe tregon paaftësinë e kryetarit për të menaxhuar me Prishtinën. Edhe pse disa herë ka premtu publikisht që do të emëron brend javës drejtorët e këtyre drejtorive, ai tashmë nuk e ka problem mashtrimin publik. Për ta zëvendësuar Nora Kelmendin, Arben Vitin e Yll Rugovën duhet të jenë profesionalisht e moralisht të përgatitur. Pjesë e qeverisjes Ahmeti nuk bëhen ata që janë profesionist e moralisht të përgatitur. Më një keqmenagjim të till nuk do t’u bashkangjitet askush në këtë keq qeverisje”, është shprehur Rrahmani.
Ai tutje ka thënë se arsye tjetër e mos emërimit të dy drejtorëve të rinj janë pazaret që po bëhen brenda koalicioneve, duke shtuar se qytetarët po i vuajnë pasojat e veprimeve të Ahmetit.
“Arsye tjetër është edhe pazaret që bëhen brenda koalicioneve, e që e kanë të vështirë ta ndajnë kulaqin andej edhe po vonohen. Të gjitha këto po i vuan qytetari i Prishtinës, andaj edhe çdo ditë e humbur me këtë kryetar është kthim mbrapa për Prishtinën”, ka thënë Rrahmani.
Megjithëse nuk ka ndonjë datë të caktuar, Komuna e Prishtinës thotë se së shpejti do të bëhen publik emrat e personave të përzgjedhur për këto dy pozita.
“Kryetari Ahmeti është në konsultim me njerëz të ndryshëm që do të mund t’i mbulojnë ato sektore në mënyrën më të mirë të mundshme. Besoj që për pak ditë do të bëhen publik emrat e personave të përzgjedhur”, ka thënë për Express, Adonis Tahiri, Zëdhënës i Komunës së Prishtinës.
Nora Kelmendi, drejtoresha e Drejtorisë së Kadastrit dhe Arben Vitia, drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë ishin personat që i shkarkoi Ahmeti. Ai njëjtë nuk pati bërë edhe me Yll Rugovën, drejtorin e Drejtorisë së Kulturës. Ahmeti kishte thënë se i mbetej Rugovës nëse do ta vazhdojë punën në Prishtinën që e ka filluar apo dëshiron që për shkak të subjektit politik, të largohet.
Në një prononcim për Express, Rugova ishte shprehur se nuk do të vazhdojë të jetë pjesë e qeverisjes së Ahmetit, për të cilën kishte thënë se do të jetë më e keqja në histori. Ai kishte dhënë dorëheqje publike përmes një konference të mbajtur nga partia e tij.
